Zëvendësministri i Arsimit, Bardheci: Pandemia ma shtyu diplomimin

Zëvendësministri i Arsimit, Bardheci: Pandemia ma shtyu diplomimin

Zëvendësministri i shumëpërfolur i Arsimit, Driton Bardheci, ka komentuar raportimet e shumta se ai është bërë zëvendësministër akoma duke qenë student. Në një reagim në faqen e tij në Facebook, Bardheci ka thënë se si pasojë e pandemisë atij i është shtyrë diplomimi në dy drejtime.

Bardheci ka thënë se me lajmin se është ende student ka qenë pjesë e një linçimi të ashpër publik. Bardheci ka bërë të ditur se ka ndjekur studime në dy drejtime, në Shkenca Politike dhe në Inxhinieri Mekanike.

“Për respekt ndaj opinionit publik, dua të sqaroj që për shkak të pandemisë COVID-19 është krijuar rregullore që kur paraqitet Punimi i Diplomës, të mbrohet pas 3 muajve. Kështu është krijuar situatë e tillë që ka shtyer për disa muaj diplomimin tim në dy drejtimet. Jam rritur me nder dhe me përkushtim ndaj studimeve të mija, pa të kqija e ndytësi. Me aktivitetet politike që kam zhvilluar kurrë nuk kam rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe as nuk kam synuar të arrijë suksese personale, por çdoherë jam munduar t’i shërbej interesit të vendit. Kritikat janë të mirëpritura, ndërsa paragjykimet të harruara. Nuk do të ndalem përball asnjë sfide!”, ka shkruar ai.