Zëvendësministri që nuk e ka asnjë punë të ngarkuar nga Behgjet Pacolli

Një zëvendësministër i Punëve të Jashtme nuk e di se me çfarë pune specifike të merret. Gjergj Dedaj akuzon shefin e tij, Behgjet Pacollin, se nuk e ka ngarkuar me asnjë punë dhe se nuk ka komunikim me të. Zëvendësministrat e tjerë të kësaj ministrie thonë se bëjnë punë me përgjegjësi të mëdha.

Zëvendësministri që nuk e ka asnjë punë të ngarkuar nga Behgjet Pacolli

Besnik Hoti çdo ditë të punës e nis në orën 8:00 duke lexuar shtypin vendor dhe atë ndërkombëtar. Ai e konsideron të rëndësishëm këtë zakon.

“Pastaj lexoj raportet nga shërbimet diplomatike-konsullore te Republikës së Kosovës, e pastaj në radhë vije takimi me drejtorët e ministrisë për koordinimin e aktiviteteve te përbashkëta”, thotë Hoti, i cili është vet i katërti zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Tre të tjerët janë: Anton Berisha, Gjergj Dedaj dhe Rejhan Vuniqi.

Në Kosovë është bërë e zakonshme të jesh zëvendësministër për shkak të numrit të madh të tyre. Kjo reflektohet edhe tek Hoti, i cili kur pyetet për sfidat e tij në detyrë, thotë shkurtimisht se zëvendësministrat e Jashtëm i kanë të ndara rolet me njëri-tjetrin.

“Secili prej zëvendësministrave në fillim të mandatit u janë ndarë përgjegjësitë dhe rolet e ndryshme në kuadër të funksionalizimit të suksesshëm të Politikës së Jashtme kosovare”, shprehet ai, në një përgjigje me shkrim dërguar Gazetës Online Insajderi.

Roli që i është caktuar Besnik Hotit është ai i zhvillimit të diplomacisë ekonomike të Kosovës. Për të arritur sukses në punën e tij, ai thotë se është fokusuar në dy aspekte.

“Aspekti i parë është promovimi i diplomacisë ekonomike Kosovare përmes vizitave të ndryshme në SHBA, Suedi, dhe Gjermani. Gjatë këtyre vizitave janë promovuar disa nga produktet kosovare e të cilat kanë shanse të mira për eksport jashtë Kosovës”, thotë Hoti, teksa vazhdon të tregojë më në detaje aktivitetin e tij në detyrë.

“Po ashtu përmes takimit me afaristë nga Izraeli është hedhur mundësia e themelimit të një ode ekonomike midis dy vendeve. Krejt në fund në kuadër të një tryeze të organizuar nga Akademia Diplomatike e kam shtruar në detaje rëndësinë e forcimit të mëtutjeshëm të diplomacisë ekonomike”, vazhdon Hoti.

E aspekti i dytë i punës së vet, siç thotë Hoti, ka të bëjë me forcimin e mëtutjeshëm të Akademisë Diplomatike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme.“Së bashku me Akademinë Diplomatike kemi filluar një seri ligjëratash nga profesorë të huaj dhe vendorë për rolin e Punëve të Jashtme në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Si dhe organizimi i konferencave të ndryshme për promovimin e diplomacisë kosovare”, shprehet Hoti.

Po ashtu, zëvendësministri nga Rahoveci thotë se ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me kryediplomatin dhe shefin e Ministrisë së Jashtme, Behgjet Pacollin. “Kam marrëdhënie te shkëlqyeshme kolegiale me të”.

Por, në lidhje me shefin e ministrisë ndryshe nga Besnik Hoti thotë kolegu i tij zëvendësministër Gjergj Dedaj.

Edhe Dedaj flet ngjashëm si Hoti për punët e tij në detyrë për rolin që ka si zëvendësministër; për aktivitetin që ka realizuar në 100 ditëshin e parë të qeverisjes apo për përgjegjësitë që mban përsipër. Mirëpo, kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK) ankohet për sjelljen e ministrit Pacolli.

“Unë kam vërejtje në komunikimin që kemi në relacion me ministrin”, zbuloi Dedaj në një mbledhje të qeverisë para tre javësh. “Që gjashtë muaj nuk kemi asnjë komunikim me të edhe pse kam kërkuar me shkrim, me sms, me mjete tjera”.

Dedaj është zëvendësministri më jetëgjatë në historinë e Kosovës së pasluftës. Ai është kthyer në sinonimin e këtij posti, pasi e mban të njëjtën pozitë që prej vitit 2008 – edhe pse i dyshimtë për mënyrën se si arrin të jetë i emëruar zëvendësministër në secilën qeveri.

Për detyrën aktuale në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Dedaj vazhdon të ankohet. Ai akuzon indirekt ministrin BehgjetPacolli se nuk i ka dhënë asnjë detyrë apo fushë të përgjegjësisë. Dedaj e shpall vetveten si zëvendësministri pa përgjegjësi të dhëna nga shefi i tij.

“Nuk kam pasur shumë hapësirë dhe nuk mëështë ndarë asnjë fushë e përgjegjësisë sime nga Ministria”, shprehet Dedaj, ndonëse thotë se ia ka përcaktuar përgjegjësitë vetvetes.

“Nga emërimi im e deri më sot, jam përpjekur për të kryer punët ditore në MPJ në suaza të mundësive,përgjegjësive dhe kapaciteteve të mija,në dobi të perspektivës euroatlantike, të ngritjes së imazhit të Kosovës dhe afirmimit të saj në qendrat ndërkombëtare të vendosjes”, ka thënë Dedaj për Gazetën OnlineInsajderi.

64-vjeçari nga Gjakova thotë se i ka shfrytëzuar mundësitë e veta por edhe kontaktet e hershme “për të dhënë kontributin tim modest brenda MPJ-së dhe të ardhmes evropiane të Kosovës.”

Dedaj ka thënë se brenda periudhës së 100 ditëve të para të punës si zëvendësministër në MPJ, ka realizuar dhjetëra takime me diplomatë të huaj dhe ambasadorë të vendosur në Kosovë.

“Brenda kësaj periudhe kam takuar diplomatë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë,kam realizuar vizita dhe kontakte ne Parlamentin Evropian në Brukselku kam marrë pjesë edhe në një konferencë për Ballkanin Perëndimor”, pohon Dedaj.

Ai thotë se është angazhuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kam kontaktuar shumë diplomatë në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe synimin tonëpëranëtarësim dhe integrim ne Bashkimin Evropian, NATO, UNESCO, OSBE, Interpol dhe ne te gjithë organizmat politikë të tjerë”, deklaron zëvendësministri Dedaj.

Ndërkohë, zëvendësministri tjetër i kësaj ministrie, Anton Berisha, thotë se nuk është i pa ngarkuar me punë. Madje, ai thotë se është i angazhuar me punë direkt nga kryeministri Ramush Haradinaj – me të cilin ka lidhje të ngushta.

Ai vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe më parë kishte shërbyer si Ambasador i Kosovës në Slloveni. Në 100 ditët e para të punës si zëvendësministër ka bërë bujë me një deklaratë të pamatur për njohjen e Kosovës nga shteti i Burundit, e cila ia rrezikoi vendit heqjen e njohjes nga shteti afrikan.

Megjithatë, përveç deklaratës që bëri bujë, Anton Berisha shprehet se kryen një punë me shumë përgjegjësi: atë të misionarit për thellimin e raporteve mes Kosovës dhe Vatikanit.

“Për arsye të peshës dhe politikës së fokusuar në raporte të veçanta me Selinë e Shenjtë, kryeministri z. Ramush Haradinaj më ka ngarkuar përveç pozitës së zëvendësministrit tëJashtëm, të kem angazhime specifike në raport me Selinë e Shenjtë”, shprehet Berisha, në një intervistë për Insajderin.

Për këtë punë, ai thotë se ndihet i privilegjuar dhe se mban përgjegjësi të jashtëzakonshme.

“Natyrisht është një përgjegjësi e jashtëzakonshme duke pasur parasysh peshën dhe specifikat qe ka diplomacia e Vatikanit sinjë ndër diplomacitë më me përvojë dhe ndikim në rruzullin tokësor. Jam munduar, dhe vazhdoj të përpiqem në maksimum”, thotë zëvendësministri Berisha.

Ai ka zbuluar se raporti i 100 ditëshit të punës që ia ka dërguar kryeministrit Haradinaj muajin e kaluar ka përmbajtje të punës dhe aktivitetit të tij si zëvendësministër, si dhe pikëpamje rreth mënyrës së organizimit të mëtutjeshëm të MPJ-së.

“Ajo çfarë mund të them, është se unë në raport përveç përmbajtjes që ka të bëjë me punën time si zëvendësministër, kam paraqitur edhe pikëpamjet e mia rreth mënyrës së organizimit të vet MPJ-së sinjë ministri me specifikë, si dhe kam paraqitur pikëpamjet se si unë e shoh politikën e jashtme por edhe mënyrën, sipas meje, më efikase të veprimit”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se mbetet nga kryeministri Haradinaj të shqyrtoj raportin dhe “të nxjerr konkluzionet konform kompetencave dhe peshës së tij si udhëheqës i ekzekutivit”.

Ndërkaq, zëvendësministrja e emëruar më së voni në Ministrinë e Jashtme, Rejhan Vuniqi nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Insajderi, të cilat iu janë dërguar rreth dy javë më parë. /Insajderi.com