Zëvendëspresidente e SHBA-së nëse Biden fiton zgjedhjet do të jetë Kamala Harris

Zëvendëspresidente e SHBA-së nëse Biden fiton zgjedhjet do të jetë Kamala Harris

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se do të garojë në zgjedhje së bashku me Kamala Harris në krahun e demokratëve, që nënkupton se në rast fitoreje të Partisë Demokrate, Kamala Harris, do të jetë zëvendëspresidente e SHBA-ve.

Kamala ishte kandidate në kampin e demokratëve për t’u nominuar për presidente, madje ajo ka pasur edhe debate me Biden gjatë zgjedhjeve të brendshme, por që në dhjetor të vitit të kaluar ajo u largua nga gara.

“Kam nevojë për dikë që e kupton dhimbjen që po vuajnë kaq shumë njerëz në kombin tonë. Sepse njerëzit kanë humbur punën e tyre, biznesin e tyre apo një person të dashur nga ky virus”, ka thënë ndër tjerash Biden, raporton Insajderi.

Kamala Harris, bëhet vetëm gruaja e tretë në histori të SHBA-së që kandidon për një post kaq të lartë në SHBA nga një parti e madhe.

Po ashtu, Biden, ka kujtuar kohën kur zonja, Kamala Harris, ka punuar me djalin e tij ndjerë, Beau Biden.

Gara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëhet shumë interesante, për shkak se po konsiderohet se presidenti amerikan, Donald Trump, ka neglizhuar e keqmenaxhuar situatën me pandeminë – sondazhet po e favorizojnë më shumë kandidatin demokrat, Joe Biden. /Insajderi.com/