Zgjedhja e kryetarit të PDK-së para zgjedhjeve lokale po konsiderohet e gabuar

Zgjedhja e kryetarit të PDK-së para zgjedhjeve lokale po konsiderohet e gabuar

Paralajmërimet e Partisë Demokratike të Kosovës se këtë muaj do të zgjidhet kryetari i ri i partisë, nuk janë mirëpritur nga anëtarët e këtij subjekti politik, transmeton Insajderi.

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj, po e konsideron të gabueshme dhe të dëmshme mbajtjen e konventës zgjedhore në prag të zgjedhjeve lokale.

Ai madje thotë se procesi i paralajmëruar është duke u bërë vetëm sa për të legjitimuar udhëheqësin aktual.

“Unë mendoj se është koha më e gabuar që të merremi me gjëra të tilla, aq më shumë çka kam mujt me nënkuptu është se bëhet fjalë për një farsë, gjoja për t`i dhënë legjitimitetin ushtruesit të detyrës aktual. Një konventë do të duhej të mbahej pas zgjedhjeve të cilat duhet të organizohen në të gjithë strukturën e PDK-së dhe besoj se duhet të ketë më shumë se një kandidat në këto rrethana”, ka thënë Çelaj.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, thotë se mbajtjen e kësaj konvente PDK po e bën me një synim tjetër.

“PDK-ja do të përpiqet që këto dallime ose mospajtime t’i kalojë me sa më pak dhimbje, për shkak se nuk i konvenon që këto dallime të thellohen edhe më shumë e të ndikojnë edhe më shumë për keq në rezultatin e zgjedhjeve lokale të vjeshtës”, ka deklaruar Mushkolaj, raporton ‘Koha’.

Sipas tij, partisë së drejtuar tash nga Enver Hoxhaj i nevojitet mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në të gjitha strukturat. /Insajderi.com