“Zgjedhje po, vjedhje jo”

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Opozita ngrihet në këmbë kundër vjedhjes së votave

Marshi i së hënës fillon në orën 18:00 nga parku i Çairit dhe përfundon para zyrave të BE-së.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Opozita ngrihet në këmbë kundër vjedhjes së votave

Shkup, 22 korrik “Zgjedhje po, vjedhje jo” kjo është motoja e  marshit protestues të organizuar nga koalicioni Alternativa – Aleanca për Shqiptarët që do të mbahet të hënën.

Nga ky koalicion theksojnë se në mungesë të drejtësisë në institucione, atë do ta kërkojnë në rrugë, duke shtuar më tej se “hajdutët janë të njëjtët”, por kësaj here siç thonë ata, ka ndryshuar populli.

Skender Rexhepi nga ky koalicion theksoi se nëpërmjet marshit protestues do t’i jepet mesazh BE-së dhe SHBA-së se shqiptarët kanë nevojë për demokratizim dhe se meqë synohet BE-ja, duhet të instalohen edhe këtu vlerat demokratike që i ka Bashkimi Evropian.

Rexhepi tha se ky nuk është marsh partiak por për demokraci dhe u bëri thirrje të bashkohen të gjithë ata që konsiderojnë se duhet të rikthehen vlerat demokratike, qofshin apo jo votues të koalicionit.

“Ne duke konsideruar se është shumë e rëndësishme dhe jetike për shqiptarët dhe ardhmërinë e shqiptarëve, të instalohen vlerat demokratike tek vendbanimet shqiptare kryesisht, e kemi organizuar një marsh protestues, i cili do të drejtohet prej komunës Çair, atje ku është bërë shkelja më flagrante e votës së lirë, deri tek institucionet e BE-së, deri tek zyrat e BE-së, ku mesazhi do t’i jepet edhe BE-së edhe SHBA-së, t’u tregohet atyre se ne si shqiptarë kemi nevojë për demokratizim real, pasi që synojmë edhe BE-në, atëherë vlerat demokratike që i ka BE, të jenë edhe këtu. Shpresojmë dhe besojmë që shqiptarët do t’i bashkëngjiten këtij marshi, ky nuk është marsh partiak, ky është marsh për demokraci, që i bie që çdokush që konsideron se duhet të rikthehen vlerat demokratike tek shqiptarët të na bashkangjitur neve”, tha Skender Rexhepi, zyrtarë i lartë i Alternativës.

Rexhepi nënvizoi se mungesë të demokracisë ka kryesisht në pjesën shqiptare dhe për këtë gjë sipas tij, fajtor është BDI-ja.

Ai numëroi shantazhet, kërcënimet dhe blerjen e votave, si veprime antidemokratike që siç tha ai, BDI i bën tri ditë para zgjedhjeve, si kompensim i mungesës së investimeve gjatë katër viteve.

“Jemi dëshmitarë se së paku këto 18 vjetët e fundit, në këtë rast BDI-ja si fajtor kryesor i mungesës së demokracisë tek shqiptarët  ka kuptuar një mekanizëm shumë të çuditshëm, t’i varfërojë qytetarët dhe sa më të varfër që janë shqiptarët aq më lehtë blihen. Ditëve të fundit dhe gjithë ai angazhim që duhet të bëhet për katër vite në investime tek shqiptarët, ata e kompensojnë këtë me tre ditët e fundit para zgjedhjeve, duke shantazhuar, duke blerë dhe duke kërcënuar dhe në fund, në mungesë të numrave edhe duke i mbushur kutitë, që konsiderojmë që është devalvim i skajshëm i vlerave demokratike dhe ne si subjekte politike, as nuk e shohim të rëndësishme më ndonjë pjesëmarrje të ardhshme në zgjedhje me këtë formë të sistemit zgjedhorë, apo me këtë formë të demokracisë në thonjëza edhe te shqiptarët”, tha Rexhepi.

Marshi i së hënës fillon në orën 18:00 nga parku i Çairit dhe përfundon para zyrave të BE-së./Insajderi.com