Zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë mund të anulohen nëse përkeqësohet situata me COVID-19

Zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë mund të anulohen nëse përkeqësohet situata me COVID-19

Zgjedhjet e planifikuara më 29 nëntor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, mund të anulohen apo të shtyhen në rast se përkeqësohet situata me COVID-19 në vend, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Klan Kosova.

“Kemi një test të zgjedhjeve në Podujevë dhe në Mitrovicë. Sot bashkë edhe me Bordin Këshillëdhënës do të nxjerrim disa rekomandime dhe do t’ia shpërndajmë edhe KQZ-së. Kjo varet nga situata epidemiologjike në vend. Zgjedhjet mund të anulohen, të shtyhen apo edhe mund të mbahen”, ka thënë ai.

“Siç e kemi bërë publike s’ka aktivitete publike, nuk lejohet grumbullimi i më shumë se pesë personave, aktivitetet partiake mund të mbahen sipas kritereve aktuale që po i përdorim 10-15 persona sipas manualit. Gjithashtu mbikëqyrja do të rritet, por nëse kemi përkeqësim të gjendjes do të kemi edhe kufizime”, shtoi Zemaj.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, i pari i Shëndetësisë tha se nëse “niveli i mospërgjegjësisë politike shkon skajshmërisht” atëherë barra e përgjegjësisë do të bie mbi vetë ata. /Insajderi.com