“Zhurmimi” i Komisionit të Reformës, dekonspiron frikën e Bashës nga zgjedhjet

“Zhurmimi” i Komisionit të Reformës, dekonspiron frikën e Bashës nga zgjedhjet

Lulzim Basha po sillet si një “dashnore e lënë” nga Edi Rama. Në mungesë të guximit për t’u ulur në tryezë të bisedimeve për Reformën Zgjedhore dhe me ndryshime kushtetuese, nëse është nevoja, ai rri në rrugë dhe zhurmon Komisionin e Reformës që mblidhet nën kujdesin e OSBE, ku ai vetë e lë karrigen bosh.

Ndërsa Komisioni zyrtar i Reformës do të mblidhet për të vazhduar diskutimet, Lulzim Basha në të njëjtën orë do të mbledhë Komisionin e PD për Reformën Zgjedhore dhe do të bëjë propozimet në distancë.

Është pak qesharake, por më shumë ngjan të jetë një përpjekje për të mos u ulur në tryezë, e cila mund të prodhojë kushte për zgjedhje të afërta.

Reforma Zgjedhore e shpejtë dhe e gjithëpranuar është i vetmi kusht që në Shqipëri të afrohen zgjedhjet, nëse do dikush t’i afrojë dhe të rikthejë normalitetin në politikën shqiptare.

Pa Reformën Zgjedhore, pa zgjidhur krizën e Presidentit dhe pa një konsensus mbi ndryshime të mundshme në Kushtetutë, asgjë nuk mund të ndodhë deri në vitin 2021, përveç kësaj situatës informale të opozitës, që nga inati i qeverisë, lë vendin bosh e gjuan me gurë nga dritarja, të prishë mbledhjen.

Arsyeja pse ka lënë bosh karrigen është pse ai nuk është vetëm për vetëm me Edi Ramën, por ka dhe të tjerë. E sidomos ka deputetë të listës së tij, që nuk kanë pranuar bojkotin dhe kanë hyrë në Parlament.

Propozimi i PD që reforma të bëhet vetëm mes atij dhe Edi Ramës, dhe një ndërmjetësi ndërkombëtar, fillimisht është hedhur poshtë nga çdo faktor ndërkombëtar. Pra është një kërkesë e refuzuar nga ata që ai i ka ftuar të jenë palë.

Prandaj nëse doni të kuptoni sa seriozisht e ka Lulzim Basha kur flet për zgjedhje të reja apo rikthimin e normalitetit, shikoni ditën kur të pranojë të ulet në tryezë, duke pranuar gabimet që ka bërë dhe duke ju futur punës të tojë kohën e humbur.

Nëse vazhdon ta shtyjë kështu si “dashnore e lënë” me Komisione paralele, thjesht është duke ju gënjyer kur ju premton zgjedhje apo zgjidhje të tipit maqedonas, siç ju gënjente për 30 qershorin, apo mosdorëzimin e zyrave.

Gjithçka nis nga ulja në tryezë.