Zhvillime dramatike në koalicionin qeveritar: Veseli i del kundër Haradinajt

Zhvillime dramatike në koalicionin qeveritar: Veseli i del kundër Haradinajt

Kadri Veseli është shprehur kundër konfrontimit dhe kushtëzimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e taksës, disa orë pari kryeministri Ramush Haradinaj i dërgoi një letër vendeve të Quintit përmes së cilës kushtëzonte heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe kërkonte nisjen e një konference ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova nuk duhet të konfrontohet me SHBA-të dhe BE-në dhe “gjuha e kushtëzimeve” ndaj partnerëve të saj nuk e ndihmon Kosovën, ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli pas një takimi që pati sot me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, në Prishtinë.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, u shpreh Veseli, duke u shpreh haptas kundër kushtëzimit që kryeministri Haradinaj u ka bërë vendeve të Quintit për taksën.

Sa i përket dialogut, Veseli ka thënë se Kushtetuta është baza e vetme e Kosovës në dialog. Duke thënë se nuk do të ketë këmbim territoresh e as asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive, Veseli ka thënë se në fund vendimi i dialogut do të marrë vulën e qytetarëve përmes referendumit.

Në fund, Veseli ka thënë se “në këtë proces, ne duhet t’i bashkërendojmë veprimet tona me partnerët tanë strategjikë, para së gjithash me SHBA-të. Dhe në këtë drejtim, askush nuk duhet ta lëkundë besimin tonë te SHBA-të, e as besimin amerikan te ne. Çfarëdo qëndrimi që e vendos Kosovën në kursin e konfrontimit me SHBA-të nuk do ta ketë mbështetjen time asnjëherë”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot u ka dërguar një letër ambasadorëve të Quint-it, përmes së cilit ka njoftuar për kushtet të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që Qeveria ta pezullojë taksën 100% ndaj Serbisë.

Haradinaj kërkon nga SHBA-ja dhe BE-ja që të nisin dhe mbështesin një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pari i ekzekutivit poashtu kërkon garanci ndërkombëtare se konferenca nuk do të ketë çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre.

Pesë kushtet e kryeministrit Haradinaj për vendet e Quintit:

1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më poshtë dhe duhet të përfundoj ë brenda 14 ditëve:

2. SHBA-të dhe BE-ja do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë:

(i) Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre.

(ii) Dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

(iii) Masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008.

3. BE-ja do të japë zotime shtesë publike dhe do të garanton se:

(i) Do të hyj në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës.

(ii) Do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës

4. Është verifikuar se Serbia ka larguar të gjitha barrierat jo-tarifore të shkaktuara ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimeve të paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova në Serbi.

5. Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo ndërkombëtar.