Zhvillimi i infrastrukturës në komunën e vogël kosovare

Zhvillimi i infrastrukturës në komunën e vogël kosovare

Stadiume futbolli, palestra me standarde të FIBA-s dhe të EHF-së, fusha të hapura dhe të mbyllura janë vetëm disa projektet sportive, të cilat i ka kryer dhe i planifikon Komuna e Lipjanit. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bekim Shabani, në një bisedë për gazetën “Zëri” tregon se investimet e tilla ua lehtësojnë sportistëve në Lipjan zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Nuk mbahet mend të ketë pasur investime të mëdha sikur në vitet e fundit në infrastrukturën sportive të komunës së Lipjanit. Duke pasur parasysh faktin se sporti është njëra prej sferave më me rëndësi për shoqërinë, sportistët lipjanas kanë të gjitha kushtet e mjaftueshme, të cilat shumë komuna nuk i kanë për ta zhvilluar aktivitetin e tyre sportiv.

Rinovimi i stadiumit “Sami Kelmendi” në Lipjan, stadiumet në ndërtim e sipër në Magure dhe në Dobrajë të Madhe janë vetëm disa nga projektet e mëdha të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilat janë vlerësuar tejet të suksesshme. Së fundmi, në Lipjan ka filluar edhe ndërtimi i palestrës së madhe sportive me standarde të FIBA-s dhe të EHF-së me rreth 1200 ulëse.

Image

Ditë më parë kryetari Imri Ahmeti ka vendosur gur themelin për ndërtimin e palestrës së madhe sportive në Lipjan, e cila do të ketë rreth 2200 ulëse dhe me një infrastrukturë moderne e cila do të ketë ka një kosto prej 1.748.298.89 eurosh, investim ky nga Komuna e Lipjanit. Gjatë kësaj ceremonie kryetari Imri Ahmeti ishte shprehur se ky projekt madhor ka qenë një zotim për qytetarët dhe për sportdashësit e Lipjanit për t’i bërë me një palestër të madhe sportive, e cila i ka munguar deri më sot qytetarëve lipjanas.

Për të folur më gjerësisht në lidhje me projektet e deritashme dhe për projektet e planifikuara për vitin e ardhshëm  ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Lipjanit, Bekim Shabani. Duke treguar për rëndësinë e madhe që kanë këto projekte në komunën e Lipjanit, Shabani thotë se do të mundohen t’ua plotësojnë të gjitha kushtet sportistëve lipjanas.

Shabani: Ua kemi lehtësuar sportistëve aktivitetet sportive

Drejtori i DKRS-së në Komunën e Lipjanit, Bekim Shabani, është i kënaqur me projektet sportive të realizuara deri më tani në Lipjan. Në një bisedë, Shabani thotë se këto projekte do t’ua lehtësojnë zhvillimin e stërvitjeve dhe të ndeshjeve skuadrave lipjanase. “Komuna e Lipjanit me investimet kapitale të bëra kohëve të fundit në infrastrukturën e objekteve sportive ka përmirësuar dukshëm ambientet, në të cilat zhvillohen garat dhe ua ka lehtësuar skuadrave lipjanase zhvillimin e aktiviteteve sportive. Gjithashtu edhe të rinjve nëpër lokacione të ndryshme i është lehtësuar zhvillimi i aktiviteteve me ndërtimin e objekteve sportive. Komuna e Lipjanit do të vazhdojë me investimet në këtë fushë edhe në të ardhmen për ofrimin e kushteve edhe më të mira për sportdashësit tanët”, tha fillimisht Bekim Shabani.

Image

Rinovimi i “Sami Kelmendit”, punimet në stadiumet e Magurës dhe të Dobrajës së Madhe

Nuk ka dyshim se stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e një ndeshjeje të futbollit në Lipjan. Ndonëse skuadra, e cila zhvillon ndeshjet në të, Ulpiana bën pjesë në Ligën e Parë, ky stadium është cilësuar më i mirë se shumë stadiume, në të cilat luajnë skuadrat e Superligës së Kosovës.

“Pa dyshim se ky stadium do t’i kryejë punë skuadrave lipjanase në mënyrën më të mirë të mundshme. Kostoja totale e punimeve në këtë stadium është 750 mijë euro, teksa pjesën dërrmuese e ka financuar Komuna. Ky stadium ka një kapacitet prej 2500 ulësesh. Gjithashtu kemi ndërtuar edhe një kompleks sportiv përreth stadiumi ‘Sami Kelmendi’”, ka zbuluar Bekim Shabani, duke treguar më tej edhe detaje për punimet në stadiumet në Magurë dhe në Dobrajë të Madhe, aty ku ndeshjet i zhvillojnë Minatori, respektivisht Arbëria.

“Sa u përket punimeve në stadiumin e Magurës, kontrata është dyvjeçare dhe ai përfundon në fund të vitit 2019. Kostoja totale është 292.555.41 euro dhe është një investim vetanak nga Komuna e Lipjanit. Gjithashtu jemi duke punuar edhe në Dobrajë të Madhe në ndërtimin e tribunave, si dhe në zhveshtore për t’ua lehtësuar zhvillimin e ndeshjeve”, vlerësoi Bekim Shabani.

Palestra sportive me standarde të FIBA-s dhe të EHF-së

Në Lipjan tashmë ka filluar ndërtimi i palestrës së madhe sportive me standarde të FIBA-s dhe të EHF-së, e cila do të ketë rreth 2200 ulëse. Palestra përmban një infrastrukturë moderne, e cila do të ketë ka një kosto prej 1.748.298.89 eurosh, investim ky nga Komuna e Lipjanit.

I pari i sportit në Lipjan, Bekim Shabani, ka zbuluar se ky projekt pritet të kryhet pas tre vjetësh. “Palestra do të ketë një kapacitet prej 2200 ulësesh. Do të jetë në dispozicion për sportet si volejbolli, hendbolli dhe basketbollit. Investimi është vetanak nga Komuna e Lipjanit dhe kontrata me kontraktuesin është trevjeçare”, potencoi Bekim Shabani.

Image

Tutje, me qëllim që t’ua lehtësojnë të rinjve zhvillimin e aktiviteteve sportive, Komuna e Lipjanit është përkujdesur të ndërtojë edhe fusha të hapura dhe të mbyllura. “Në dy vjetët e fundit janë ndërtuar 17 fusha të hapura sportive, ndërsa në total Komuna e Lipjanit ka ndërtuar 35 të tilla nëpër lokacione të ndryshme. Gjithashtu janë ndërtuar edhe katër salla të mbuluara, teksa në Magurë në kuadër të investimeve kapitale është një objekt sportiv ‘Qendra Rinore’, e cila ka në përbërjen e saj sallën sportive dhe zyrat përcjellëse”, përfundoi  Bekim Shabani, të martën.

Sërmaxhaj – i kënaqur me stadiumin, por kërkon përshpejtim të punimeve

Trajneri i mirënjohur kosovar, Sami Sërmaxhaj, i cili para disa javësh mori drejtimin e Ulpianës, është shprehur i kënaqur me kushtet që ofron stadiumi ‘Sami Kelmendi’, derisa thekson se punimet që janë duke u bërë brenda tij duhet të përfundojnë më shpejt. “Sa i përket stadiumit, mendoj se ka një perspektivë dhe mund të bëhet një stadium shumë modern. Mirëpo nuk jam i kënaqur me dinamikën e punimeve brenda stadiumit (në zhveshtore, banjë dhe në pjesën e rehabilitimit). Ndoshta duhet edhe disa intervenime me konsultim të ekspertëve të kësaj fushe”, tha fillimisht Sërmaxhaj.

Ndonëse thotë se stadiumi “Sami Kelmendi” ka perspektivë të bëhet shumë modern, ai ka kritika për pjesën e fushës, aty ku zhvillohet aktiviteti sportiv, për të cilën thotë se duhet punuar më shumë në të.

“Ajo që mua më intereson është fusha ku zhvillohet aktiviteti sportiv, është në gjendje shumë të keqe dhe është e pakuptueshme se si një qytet si Lipjani, se si organet kompetente të mos i vijnë në ndihmë për rregullimin e fushës së lojës në përputhshmëri me stadiumin. Por shpresoj që së shpejti presidenti i klubit, Abedin Salihu, në koordinim me kryetarin e Komunës Imri Ahmetin të rrisin dinamikën e përfundimit të këtij kompleksi shumë të mirë dhe shumë simpatik, i cili do t’i shërbente jo vetëm Lipjanit, por edhe grup-moshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës, duke e shkarkuar nga ngarkesa e madhe stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, përfundoi Sami Sërmaxhaj.