Zonja e Parë e Shqipërisë nuk është bashkëshortja e presidentit

Zonja e Parë e Shqipërisë nuk është bashkëshortja e presidentit

Presidenti i zgjedhur Ilir Meta do të marrë zyrtarisht nesër detyrën si Kryetar i Shtetit. Ceremonia e betimit të tij në Kuvend do të mbahet në orën 18:00 të pasdites së të hënës.

Pas kësaj, në orën 19:00, Presidenti i sapobetuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni.

Fillimisht Meta do të pritet në zyrë nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si President në Parlament.

Pas fjalës që do të mbajë Presidenti i ri, ai në mënyrë simbolike do të përcjellë paraardhësin Bujar Nishani, moment ky që pasohet nga ceremonia zyrtare me parakalimin e forcave të Gardës së Republikës dhe 21 të shtënat me top.

48 vjeçari Ilir Meta, baba i tre fëmijëve betohet si Presidenti i 7 i Republikës së Shqipërisë demokratike.

Nga nesër, Ilir Meta dhe motoja e tij me “Qetësi dhe Dashuri”, do të kenë detyrën e vështirë të të qëndruarit mbi palët duke pasur autoritetin dhe vullnetin për një Shqipëri evropiane.