ZPS: Selimi kontaktoi njerëzit që dyshohen për një atentat, ndërhyri edhe në Polici

ZPS: Selimi kontaktoi njerëzit që dyshohen për një atentat, ndërhyri edhe në Polici

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, nga Prokurori i Specializuar, Jack Smith, përshkruhet si ‘shef’ i një bande personash që kishin tentuar ta vrisinin një person, transmeton Insajderi.

Në kërkesën që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ia ka dërguar gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou, pretendohet se Selimi një orë pas tentim-vrasjes, kishte provuar ta telefononte njërin nga të dyshuarit dhe pastaj e kishte kontaktuar një oficer të Policisë, të cilit thuhet se i ka kërkuar të merrte diçka që ishte përdorur në këtë atentat, raporton express.

“Për më tepër, individët të cilët kanë punuar për Rexhep SELIMIN ishin të përfshirë në një përpjekje [REDAKTUAR] për të vrarë [REDAKTUAR]. Brenda një ore pas tentim-vrasjes, SELIMI u përpoq ta thërriste njërin nga të dyshuarit, 30 dhe SELIMI më pas kontaktoi një oficer të Policisë së Kosovës duke kërkuar nga ai për të rimarrë [REDAKTUAR] që dyshohet se është përdorur në atentat. Një hetues [REDAKTUAR] vuri në dukje se ‘[[]] është […] shqetësim i madh që Rexhep Selimi mund ta thërriste një oficer të Policisë në çdo kohë dhe t’i kërkonte që ta shfrytëzonte pozicionin e tij për t’i marrë provat të përdorura në veprat e mundshme penale’”, thuhet në pretendimet e ZPS-së.

Paraprakisht, në kërkesën për arrestimin dhe paraburgosjen e Selimit dhe të tjerëve përmendet edhe lista e zezë e SHBA-së.

“Rexhep SELIMI u rendit në listën e zezë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për përfshirje të mundshme në pengimin e zbatimit të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit OKB-së për krijimin e UNMIK-ut dhe është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Thesari i Shteteve të Bashkuara”, thuhet në kërkesë. /Insajderi.com