“ZRrE duhet ta ekzekutojë vendimin e gjykatës për faturat e veriut”

“ZRrE duhet ta ekzekutojë vendimin e gjykatës për faturat e veriut”

Avokati i Popullit ka thënë se kohë më parë e kishin adresuar çështjen e faturave të rrymës së shpenzuar në veri e të cilat iu ngarkoheshin qytetarëve tjerë si shpenzim.

“Veprimin e parë që e kemi bërë ka qenë publikimi i një raporti që i është adresuar ZRRE-së. Atje është dhënë rekomandimi që vendimi të shfuqizohet dhe të kompensohen qytetarët për humbjen që kanë pasuar”, ka thënë Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Ai ka thënë se, ata si institucion nuk patën mundësi tjetër pos t’i drejtohen gjykatës për këtë çështje.

“Meqenëse afati 30-ditorë i është dhënë ZRRE-së dhe ata nuk na u kanë përgjigjur, neve nuk na kanë lënë asnjë opsion tjetër, vetëm se t’i drejtohemi gjykatës për konflikt administrativ dhe kemi kërkuar nga Gjykata anulimin e këtij vendimi si të paligjshëm, dhe e dyta kemi kërkuar pezullimin e këtij aktvendimi”, ka shtuar ai gjatë një interviste për Lajmi.net.

Sipas tij, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit ka vendosur në bazë të ankesës së Avokatit të Popullit dhe ZRrE-ja duhet ta zbatojë vendimin.

“Ndërkohë Gjykata si masë të përkohshme ka vendosur pezullimin e këtij aktvendimi dhe ka dhënë mundësi ankimi në Gjykatën e Apelit, të cilën e ka shfrytëzuar KEDS-i. Mirëpo, përfundimisht të premten e kaluar Gjykata ka vendosur prapë mbi bazën e ankesës dhe gjithashtu e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë, dhe e ka pezulluar ekzekutimin e këtij aktvendimi”, ka thënë tutje Jashari.

Për Avokatin e Popullit, arsyetimi i ZRrE-se se krejt kjo ka ndodhur në mungesë të funksionalizimit të bordit, nuk qëndron.

“Tani ne pamë një vlerësim që e ka dhënë ZRRE-ja, ku ata arsyetohen se në mungesë të bordit nuk mund të ekzekutohet. Dhe kjo arsye e ZRRE-së nuk ka asnjë logjik, dhe unë dje vlerësova se është një vlerësim i pamatur dhe i ngutshëm, sepse vendimin gjyqësor me fjalë tjera i bie që për një çështje konkrete si kjo e ka fuqinë e ligjin, dhe nuk kushtëzohet ekzekutimi i një vendimi ligjor me funksionimin ose jo, të një bordi të caktuar”, ka thënë Hilmi Jashari.