ZRRE-ja udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it

ZRRE-ja udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it

Vendimet e bordit të ZRRE-së, i kanë shkuar për shtati KEDS-it, në vlerë prej miliona eurove.

Arsyeja që e shtynë Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të marr vendime në favor të KEDS-it, është për shkak se ky bord udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it.

Petrit Pepaj, tani anëtar bordi në ZRRE, dikur kishte qenë menaxher i lartë në KEDS. Izet Rushiti, po ashtu ish-menaxher i lartë në KEDS. Edhe anëtari tjetër i ZRRE-së, Selman Hoti, dikur kishte punuar si menaxher në kompaninë turke.

Po ashtu, britanikët kishin rekomanduar që këta tre persona mos të emërohen në Bordin e ZRRE-së, për shkak se ishin të pakualifikuar për të qenë anëtarë të sa.

Kuvendi i Kosovës në mars të këtij viti, kishte votuar për emërimin e Selman Hotit dhe Izet Rushitit si anëtarë të ri të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Të dy anëtarët e ri të ZRRE-së ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike.

Në këtë listë është edhe numri i pikëve të fituara nga secili kandidatë. Bekim Jakupi ka qenë më i poentuari me 36.4 pikë, i pasuar nga dhe Fadil Ismajli me 35.4 pikë. Këta dy janë vlerësuar nga komisioni, në të cilin kanë marrë pjesë edhe britanikët, se i plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë drejtor të bordit të ZRRE-së. Të tjerët, sipas britanikëve, nuk i kanë plotësuar kushtet për të qenë anëtarë të bordit të ZRRE-së. Ata kanë qenë: Naim Sahiti – 29.8 pikë, Skënder Buja – 27.2 pikë, Izet Rushiti – 27 pikë dhe Selman Hoti – 18.6 pikë.

Përveç kësaj, dy anëtarët e rinj të përzgjedhur në bordin që ka kompentenca edhe për vendosjen e tarifave të energjisë kanë edhe të kaluar politike megjithëse ligji për Zyrën e Rregullatorit nuk vendos kufizimet për personat politik

Kush janë anëtarët e rinj të ZRRE-së?

Izet Rushiti, i lindur në Prelez të komunës së Ferizajt, e ka fituar titullin e inxhinierit të elektroteknikës në vitin 1984. Sipas formularit për punësim si anëtar bordi në ZRRE, Rushiti ka nënshkruar deklarimin e tij për përvojat e punës. Ai ishte kandidat i AAK-së për kuvendin komunal në Ferizaj në zgjedhjet lokale të  vitit të kaluar. Kjo dëshmohet nga lista e publikuar në KQZ, ku emri i tij figuron në faqen 240 të këtij dokumenti.

Izet Rushiti, që nga nëntori i vitit 2016 është kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjet Publike Komunale “Ambienti” nga Ferizaj. Në deklarimin e tij, ai thotë se ishte edhe profesor në SHMT “Pjeter Bogdani” nga 2014-2016. Rushiti ka qenë edhe anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt. Por, ai ishte dorëhequr nga kjo pozitë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte gjetur se mbajtja e të dy pozitave ishte në konflikt të interesit.

Izet Rushiti, deri në vitin 2016, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ishte edhe menaxher i Distriktit të Ferizajit në KEDS [Shih edhe Këtu- faqe 2]. Në deklarimin e vitit 2017, Rushiti ka deklaruar se nuk është punëtor i KEDS-it më, por tash është kryeshef i ndërmarrjet “Ambienti”.

Në CV-në e tij shkruan se ai ishte drejtor i distriktit të Ferizajt që nga korriku 2006 deri në korrik 2014. Ndërsa në vitin 2015-2016 ishte menaxher i departamentit të aseteve në KEDS.

Po ashtu, në KEK ai kishte punuar edhe në vitet 1998-2002 si përgjegjës i shërbimit të Matjeve Elektrike dhe 2002 -2005 si drejtor I distriktit të Ferizajt, ku ishte rikthyer përsëri në 2006.

Selman Hoti, është kandidati tjetër i propozuar nga qeveria, e që nga komisioni vlerësues ishte vlerësuar se nuk i plotëson kriteret për të mbajt postin e drejtorit të bordit të ZRRE-së. Ai është i lindur në Carrallukë të Malishevës. Ai e ka të njëjtin mbiemër dhe vendlindje me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti.

“Veç që është i katunit tem. Nuk e kam sen”, kaishte thënë deputeti i Nismës, Enver Hoti, i cili vjen nga i njëjti fshat.

Sipas formularit për punësim si anëtar bordi në ZRRE, Hoti ka nënshkruar deklarimin e tij për përvojat e punës. Për të marrë titullin inxhinier i elektroteknikës në UP atij i janë dashur 10 vite, nga 1986 deri në 1996. Tri vite pas përfundimit të fakultetit ai ishte punësuar në KEK, nga viti 1999 deri në 2003 si Menaxher u departamentit për matjen e energjisë elektrike. Pas privatizimit të distribucionit, me të njëjtin titull për një vit kishte punuar në KEDS, ku në rubrikën: arsyet e largimit nga vendi i punës, ka shkruar se kjo është bërë ‘me marrëveshje, lirim nga vendi i punës’. Më pas, nga viti 2014 ai punon si drejtor teknik në “Electra SHPK”, në Gracanicë.

Disa nga vendimet që Bordi i ZRRE-së, i ka marrë, të cilat kanë qenë në dëm të qytetarëve të vendit, dhe në të mirë të kompanisë turke KEDS, është edhe ai i ditës së sotme, ku ZRRE vendos që humbjen e energjisë t’ia faturojë konsumatorëve kosovarë, e jo KEDS-it.

Nga viti 2018, humbjet teknike dhe vjedhjet e energjisë elektrike që do t’u faturohen qytetarëve do të jenë 18.8 për qind. Rritja e humbjeve të faturuara nga 16.9% në 18.8% ka një ndikim prej rreth 3 deri në 4 milionë euro. Për aq milionë euro mund të shtrenjtohet energjia elektrike pas këtij vendimi apo nuk do të mund të ulen tarifat në rast se numrat tjerë e thonë një gjë të tillë.

Pranimi i humbjeve më të larta për 1,9 pikë të përqindjes erdhi si propozim nga anëtari i bordit, Izet Rashiti.

Ai propozoi që KEDS-it t’i njihen humbje më shumë se në vitin 2017 për 1.9%, për aq sa kishte dështuar KEK-u t’i ulë humbjet në vitin e fundit të menaxhimit me KEDS.

Përveç tij, pyetje për këto humbje prej 1,9 për qind në mbledhjen e bordi të ZRrE-së bëri edhe kryesuesi i bordit, Arsim Janova.

Propozimi për pranimin e humbjeve KEDS-it në nivel prej 1,9% u votua nga katër anëtarët e Bordit të ZRrE-së.

“Bordi vendosi që sa i përket cakut të nivelit të humbjeve të lejuara për operatorin e sistemit të shpërndarjes (KEDS) për periudhën e dytë rregullative (2018-2022) të jetë në vitin 2018 të jetë 18.8%, vitin 2019 prapë 18.8%, viti 2020 të jetë 17.6%, në 2021 të jetë 16.4% dhe në vitin 2022 të jetë 15.1%”, ka konstatuar kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Arsim Janova.

Ky vendim i ZRrE-së do të ketë ndikim në faturat e energjisë gjatë katër viteve të ardhshme.

Ky propozim ishte në kundërshtim me raportin dhe analizat e bëra nga ekspertët e tarifave që punojnë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në ZRrE dhe Ymer Fejzullahu drejtor i departamentit të Tarifave në mbledhjen e bordit thanë që nuk duhet t’i pranohet kjo rritje e humbjeve KEDS-it.

Ymer Fejzullahu, drejtor i Departamentit të Tarifave tha se pronarët aktualë të KEDS-i kanë qenë në dijeni për vendimin e ZRrE-së të vitit 2012 para se të ofertojnë.

Sipas tij, vendimi për uljen e humbjeve është cilësuar si ‘risk rregullator’, prandaj ofertën e bërë për blerjen e KEDS-it e kanë bërë duke qenë në njohuri për këtë vendim.

Ai ka thënë se KEDS-i vazhdimisht ka kërkuar që të rritet caku i humbjeve, mirëpo bordi i ZRrE-së asnjëherë deri më tani nuk ia ka miratuar.

“ZRrE me të drejtë i ka sugjeruar (KEDS-it) që t’i drejtohet atëherë, njësisë së privatizimit në kuadër të MZhE-së. Një prej informatave që është kërkuar edhe para ofertimit ka qenë vendimi për parametrat të cilin në atë kohë bordi i ZRrE-së e ka marrë. Ofertuesit kanë qenë të njoftuar për këtë vendim, që besoj se edhe ofertuesit e tjerë edhe KEDS-i e kanë marrë parasysh gjatë ofertimit”, tha Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit për tarifa dhe çmime në ZRRE.

Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur disa herë edhe drejtori ekzekutiv i ZRrE-së, Petrit Pepaj.

“KEDS-i kur e ka marr menaxhimin në vitin 2013 e ka pas cak me i zvogëlua edhe 3 pikë të përqindjes plus 1.9% që KEK-u nuk ka arrit me i zvogëlua dhe i është bartë kompanisë private, pra është bërë diku 4.9% që ka qenë e pamundshme që brenda 1 viti me arrit atë tragetin për shkak se ka qenë kompani e re dhe i është kërkuar kohë për njohjen e sistemit. Por, kjo nuk e paragjykon që KEDS-i ka qenë në dijeni gjatë kohës së privatizimit që kjo është situata dhe me siguri që ata i kanë bërë kalkulimet e veta me rastin e ofertimit për KEDS”, tha Pepaj.

E njëjta përgjigje i ishte kthyer edhe KEDS-it gjatë periudhës konsultative për këtë vendim.

“Caqet e humbjeve kanë qenë të njohura para transaksionit dhe informatat të cilat kanë qenë të bazuara ishin në dispozicion për të gjithë ofertuesit potencial si pjesë e procesit të tyre të vlerësimit. Vlerësimi i rreziqeve që këto caqe nuk do të arrihen nga KEK-u ose pas privatizimit ishte çështje e ofertuesve dhe kostoja e rreziqeve të mbetura do të faktorizohej në çmimet e tyre të ofertës”, thuhet në vendimin e ZRrE-së. “Duke pasur parasysh këtë, ZRrE-ja konsideron se nuk ka asnjë arsyetim për ndonjë kompensim të nënkuptuar ndaj KEDS-it.”

Dy përbërje të bordi të ZRRE-së nuk ia kanë miratuar asnjëherë kërkesën për të amnistuar për dështimet e KEK-ut për t’i ulur humbjet e energjisë elektrike. Kjo është përbërja e tret e bordit të ZRrE-së e cila e ka shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e KEDS-it që humbjet e energjisë që i faturohen qytetarit të jenë për 1.9 pikë të përqindjes më të larta se sa që ishin në vitin 2017.

 

 

.