ZRRE shkon në takim me Haradinajn dhe përfaqësuesit e bizneseve të cilët i kishte injoruar

ZRRE shkon në takim me Haradinajn dhe përfaqësuesit e bizneseve të cilët i kishte injoruar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si dhe përfaqësues të bizneseve për të diskutuar për sfidat e sektorit privat në raport me tregun e hapur dhe koston e energjisë elektrike.

Gjatë takimit, në të cilin ishin të pranishëm edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, si dhe përfaqësuesi i ZRRE-së, kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar me të gjithë dhe me përkushtim në përmirësimin e legjislacionit i cili do të krijojë mundësi më të mëdha për sektorin privat.

Por për të njëjtën temë, ZRRE nuk kishte marrë pjesë në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës para një jave, duke refuzuar t’i dëgjojnë shqetësimet e bizneseve në lidhje me problemet për furnizim të energjisë elektrike, shkruarn Insajderi.

“Në takim me përfaqësues të bizneseve, ZRRE, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike Amerikane, u njoha për sfidat e sektorit privat në raport me tregun e hapur dhe koston e energjisë elektrike. Me qëllim të mbështetjes së prodhuesve vendor, i sigurova se shqetësimet e tyre do të adresohen dhe në vazhdimësi do të zhvillohen politika të favorshme që fuqizojnë sipërmarrësit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan mbështetjen e Qeverisë në ofrimin e kushteve më të mira për zhvillimin e afarizmit të tyre, përfshi politikat më të guximshme në sektorin e tregut energjetik.

Oda Ekonomike e Kosovës kishte organizuar një tryezë publike një javë më parë pikërisht për këtë temë, në të cilën morën pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik si dhe përfaqësues të bizneseve.

Në këtë tryezë u diskutua shqetësimi i bizneseve për çështjet e vetëkonsumit të energjisë elektrike, si alternativë e vetme e shumë bizneseve të cilat për vite me rradhë kanë subvencionuar tërë sektorin energjetik.

Kryetari i Odër Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi kishte njoftuar se përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kishin qenë gjithashtu të ftuar në këtë takim, megjithëse ata refuzuan të marrin pjesë.

“ZRRE ka filluar ta keqkuptojë rolin që ka” kishte deklaruar Rukiqi.

ZRRE mund të jetë mekanizëm i pavarur politikisht, por ata nuk janë të pavarur nga përgjegjësia publike, kishte thënë Rukiqi. /Insajderi.com