Zv/kryeministri i Turqisë: E shpëtuam Kosovën nga një kërcënim i madh

Zv/kryeministri i Turqisë: E shpëtuam Kosovën nga një kërcënim i madh

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavuşoğlu ka thënë se me arrestimin dhe depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, më së shumti ka përfituar shteti i Kosovës.

Në një takim me gazetarë sot, zv/kryeministri turk i është përgjigjur pyetjeve të tyre lidhur me arrestimin e gjashtë gylenistëve të dyshuar në Kosovë të enjtën e javës së kaluar. Çavuşoğlu ka deklaruar se operacioni është realizuar për të mirën e të dyja vendeve: Kosovës dhe Turqisë, shkruan mediumi turk Star.tr.

“Situata e zhvilluar në Kosovë është një favor i madh nga Kosova për të ardhmen e Turqisë. Prandaj, detyra këtu nuk është vetëm për të kapur terroristët dhe për t’i çuar ata para drejtësisë turke, por edhe për të shpëtuar Kosovën nga një rrezik dhe kërcënim i madh”, ka thënë Çavuşoğlu, raporton Insajderi.

Agjencia e Intelegjencës së Turqisë ka kapur gjashtë gylenistë përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës, të enjtën.

Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë sjellë në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Pas këtij rasti, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. /Insajderi.com