Zv/ministri i dhuron ambasadores së Izraelit në Beograd, varëse të punuar nga vajzat e dhunuara gjatë luftës

Zv/ministri i dhuron ambasadores së Izraelit në Beograd, varëse të punuar nga vajzat e dhunuara gjatë luftës

Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, zëvendës ministri në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj i ka dhuruar  ambasadores së Izraelit në Beograd, Alona Fisher Kamm një punim dore – varëse e bërë nga duart e vajzave dhe grave viktima të luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë takimit me Ambasadoren Fisher-Kamm, zv.ministri Çelaj e ka njoftuar atë me historinë e dhimbshme të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës nga forcat serbe.  Çelaj ka folur për shpresën e rikthimit në jetë të këtyre vajzave dhe grave, të cilat këto varëse i kanë punuar duke treguar një forcë të madhe dhe kurajo për jetën.

“Secila nga këto varëse është e punuar me dashuri me forcën e mbi shpresën e rindërtimit të jetës. Secila paraqet vuajtjen e përjetimit më të tmerrshëm njerëzor”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) ku vajzat dhe gratë mblidhen dhe bëjnë punime dore për të siguruar ekzistencën, një prej të cilave Çelaj sot ia dhuroi ambasadores. Çelaj këtë mesazh e ka përcjellë tek znj. Fisher duke bërë të ditur përkushtimin dhe shpresën e grave për të luftuar traumën duke dhënë shpresë për jetë kështu dhe tek të tjerët.

Në Kosovë sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës llogaritet se janë 20 mijë vajza dhe gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës 1998-99.

Çelaj është zyrtari i parë i Republikës së Kosovës që kishte realizuar vizitë zyrtare në Izrael, para disa muajsh, kurse në takimin e sotëm, përsëriti qëndrimin se Izraeli është partner potencial i Kosovës në shumë fusha në rend të parë për këmbimin e studentëve dhe të rinjve tanë në programe dhe projekte si në fushën e inovacionit, teknologji, në edukim dhe ndërmarrësi si dhe investime në agro industri.