Zyberaj kërkon rinumërim të votave për kandidatët për deputetë

Zyberaj kërkon rinumërim të votave për kandidatët për deputetë

Kandidati për deputetë nga Aleanca Kosova e Re, e cila hynë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jetlir Zyberaj, ka kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë rinumërimin e votave për kandidatët për deputetë, transmeton Insajderi.

Sipas Zyberajt, kjo parti ka prova se kanë ndodhur manipulime me votat e kandidatëve të subjekteve politike brenda listës.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë, këto manipulime janë bërë nga ana e komisionerëve.

“Më lejoni që fillimisht ta përgëzoj KQZ-në për organizim jashtëzakonisht të mirë ditën e diel. Ka qenë proces që është menaxhuar nga KQZ dhe deri në momentin që janë përmbyllur vendvotimet ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Zyberaj.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se edhe herëve tjera probleme kemi pasur me numërimin e votave për kandidatë të subjekteve politike – edhe vitin e kaluar ka pasur gjetje të manipulimeve me komisionarë që për interesa të disave manipulojnë me vota”.

“Në nuk kemi ngritur shqetësime për manipulim votash ndërmjet subjekteve politike, por manipulimi ndodh me votat e kandidatëve të subjekteve politike”, u shpreh ai. /Insajderi.com