Zyberaj: Serbia ka nisur ofensivë të paparë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Zyberaj: Serbia ka nisur ofensivë të paparë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj ka komentuar mundësinë e pranimit të Kosovës në Interpol.

Zyberaj ka thënë se në Dubai po ndodhë shpërfaqja e fytyrës së vërtetë të Serbisë, e cila vazhdimisht po mundohet ta pengojë pranimin e Kosovës në Interpol.

Ai ka thënë se është pakuptueshme për të gjithë se si një shtet e kundërshton fuqizimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit.

Zyberaj ka kujtuar se Kosovës i duhen 2/3 e delegatëve në mënyrë që të bëhemi pjesë e Interpolit.

Ai ka shtuar se antarësimi i Kosovës në Interpol do t’i ndihmoj rajonit dhe Evropës që të luftohet krimi i organizuar, sepse vendi ynë ka dëshmuar se ka kapacitete të fuqishme të sigurisë dhe është mese i gatshëm të bëhet pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm global.

Postimi i plotë i Zyberajt:

Në Dubai po ndodh shpërfaqja e fytyrës së vërtetë të Serbisë, që për dike dukej si shtet demokratik. Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbia e ka nisur një ofensivë të paparë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës.

Është e pakuptueshme për të gjithë se si një shtet e kundërshton fuqizimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit. Janë të paprecedent metodat shantazhuese të shtetit serb ndaj përfaqësuesve të shteteve të botës në asamblenë e përgjithshme të Interpolit.

Në ndërkohë, Serbia dështoi në bllokadë e parë për Kosovën. Kërkesa e delegacionit serb e mbështetur edhe nga disa vende, që votimi për anëtarësimin e Kosovës të hiqet nga rendi i ditës, nuk mori mbështetjen e Asamblesë. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të hidhet nesër në votim pas shqyrtimit nga pjesëmarrësit.

Neve na duhen votat e 2/3 të delegatëve në mënyrë që të bëhemi anëtar të Interpolit. Nëse eventualisht nuk i sigurojmë këto vota në raundin e parë, atëherë do të jetë edhe një raund i ri i votimit.

Delegacioni kosovar është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet aleate që gjithçka të shkojë sipas planifikimeve dhe nesër gjatë votimit mos të ketë ndonjë befasi.

Kosova në Interpol është garancë për rajonin dhe me gjerë. Ky anëtarësim do t’i ndihmoj rajonit dhe Evropës që të luftohet krimi i organizuar, sepse vendi ynë ka dëshmuar se ka kapacitete të fuqishme të sigurisë dhe është mese i gatshëm të bëhet pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm global.