Zyra e BE-së mirëpret caktimin e objektit të ri të Avokatit të Popullit

Zyra e BE-së mirëpret caktimin e objektit të ri të Avokatit të Popullit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshëndetur sot vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e objektit të ri të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Përmes një deklarate për media, Zyra e BE-së thotë se ky është një parakusht i rëndësishëm që Avokati i Popullit të kryejë detyrat e veta.

“Ne falënderojmë Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari, për qasjen e tij konstruktive në gjetjen e një zgjidhje për objektin, në përputhshmëri me parimet e Parisit të cilat përcaktojnë kriter për institucionet që merren me të drejtat e njeriut, siç është Ombudspersoni,” thuhet në komunikatë.

Më herët gjatë ditës, Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, njoftoi se Avokati i Popullit do të zhvendoset në objektin e ish-bankës së Lubjanës.

Gjetja e një objekti të ri për Institucionin e Avokatit të Popullit ka qenë një nga rekomandimet e papërmbushura të Kosovës për liberalizmin e vizave./Insajderi.com