Zyra e Kryeministrit insiston se Haradinaj ka të drejtë mbi gazetarët

Zyra e Kryeministrit insiston se Haradinaj ka të drejtë mbi gazetarët

Disa orë pasi kryeministri Ramush Haraidnaj në një konferencë për media së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se shumica e gazetarëve as nuk dinë të lexojnë anglisht dhe se janë të pashkolluar, ka ardhur edhe sqarimi nga Zyra për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit.

“Kam respekt për media shumë, më besoni por shumica prej juve, as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, s’kam ndonjë koment”, i kishte thënë Haradinaj gazetares.

E Zyra për Komunikim me Publikin insiston se Haradinaj ka të drejtë.

“Sot pasdite kemi marrë një letër nga AGK, e cila një apel të Kryeministrit Haradinaj që disa gazetarë të jenë më profesionistë dhe më të shkolluar, e ka konsideruar si ofendim ndaj gazetarëve dhe mediave. Haradinaj ka kërkuar vetëm profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë. Na vjen keq nëse dikush, nga mosdija apo qëllimisht, ka bërë cilësime të pasakta të kësaj natyre”, thuhet në reagimin e Zyrës për Komunikim me Publikun.

Më pas kjo Zyrë është mburrur me “transparencën” e Qeverisë Haradinaj.

“Kryeministri Hardinaj dhe kabineti i tij e kanë filluar punën duke qenë më të hapur se cilado Qeveri e mëparshme ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe kështu do të jetë deri në fund të mandatit. Transparenca jonë duhet të jetë e mjaftueshme që gazetarë dhe media të caktuara poashtu të jenë korrekte dhe profesionale në raport me Kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë e tij”, thuhet në njoftim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi duke i cilësuar deklaratat e Haradinajt si  ofenduese ndaj gazetarëve.

AGK e konsideron të papranueshëm veprimin e kryeministrit ndërkohë që deklaratat e bëra nga ai paraqesin ofendim ndaj gazetarëve në vend.

“Duke përcjellur me shqetësim këtë deklarim të kryeministrit të ri, ne rikujtojmë se misioni i gazetarëve është që të bëjnë pyetje sa herë që ata kanë nevojë për përgjigje ndërkohë që përmbajtjen e pyetje nuk do të mund ta kontrollojë askush”, thuhet në reagimin e AGK-së./Insajderi.com

AGK reagon ndaj gjuhës ofenduese të kryeministrit