Grabovci merret në pyetje me 26 maj për aferën e përgjimeve

Grabovci merret në pyetje me 26 maj për aferën e përgjimeve

Adem Grabovci me 26 maj do të përballet për herë të dytë me pyetjet e tre prokurorëve të cilët po merren me rastin e përgjimeve që janë publikuar gushtin e vitit të kaluar nga Insajderi.

Lajmin e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi.

“Ju informoj se është caktuar që më 26 maj 2017 të bëhet intervistimi i të pandehurit Adem Grabovci”, tha Kozmaqi.

Insajderi ka kontaktuar edhe me avokatin e Grabovcit, Florim Latifaj i cili tha se nuk ka pranuar ende ftesën zyrtare për këtë seancë.

I pyetur nëse Grabovci do të marrë pjesë në seancë Latifaj tha se ende nuk ka diskutuar për këtë çështje me klientin e tij.

Grabovci ishte paraqitur për herë të parë para prokurorëve Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani me 14 shtator, në cilësinë e të dyshuarit për veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’ dhe ‘shkelje e statusit të barabartë të shtetasve të Kosovës’.

Grabovci atë ditë pati refuzuar tu përgjigjej pyetjeve të tyre, duke kërkuar sqarime se pse nuk janë shkatërruar përgjimet siç parashihej me ligj.

“Nuk mundemi me u përgjigj për diçka që nuk mundet me u konsideru provë në procedurë penale. S’munden me u përdorë si provë, sipas neve. Prokuroria mundet me mendu ndryshe”, pati thënë avokati i tij Florent Latifaj.

Prokuroria Speciale pati nisur hetimet kundër Adem Grabovcit dhe personave tjerë të përfshirë në përgjimet, 26 ditë pas nisjes së publikimit të “Dosjes së Shefave”, lidhur me dyshimet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012.

Përmes përgjimeve ishte dëshmuar fuqia e Grabovcit dhe strukturës së Partisë Demokratike, se si vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, punësojnë qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. /Insajderi.com