Zyrtarët e BE-së e vlerësojnë të nxituar përmendjen e datës nga Borrell për takimin Kurti-Vuçiq

Zyrtarët e BE-së e vlerësojnë të nxituar përmendjen e datës nga Borrell për takimin Kurti-Vuçiq

Zyrtaët e Bashkimit Evropian vlerësojnë se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka nxituar kur ka përmendur datën 11 maj për takimin mes palës kosovare dhe asaj serbe, transmeton Insajderi.

Kështu thotë korrespondenti Augustin Palokaj, i cili shton se zyrtarët e BE-së janë marrë vesh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një datë e më pas i ftojnë kosovarët që të vijnë.

“Janë dy çështje e dy mundësi e dy probleme këtu. I pari është se zyrtarët e BE-së thonë se Borrelli është nxituar duke përmendur atë datë në pyetjen e gazetarës nga Serbia. Ajo është datë e planifikuar, por jo e konfirmuar dhe se është vetëm një gabim i tij i rastit që e ka përmendur datën. Ai ka thënë që shpresojmë që ajo datë të realizohet. Ndërsa në BE thonë se nuk kanë pasur konfirmimin e palës kosovare, ndonëse kanë qenë në konsultime. E dyta është se tash e sa vjet jemi mësuar që zyrtarët e BE-së të entuziazmuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq merren vesh me të për një datë dhe vetëm i ftojnë pastaj kosovarët që të vijnë”, ka thënë Palokaj për ‘Kohën’.

“Tash del që Kosova kinse po e kushtëzon ardhjen, ndërsa harrohet që Serbia për një vit e kishte bllokuar vazhdimin e dialogut duke u thirrë me arsyetimin se Kosova kishte vënë tarifat. Këtu është në pikëpyetje kredibiliteti i gjitha palëve”, ka shtuar ai.

Palokaj ka thënë se në BE po tentojnë të bëjnë disa takime, së paku një në maj dhe një në qershor të nivelit të lartë dhe pastaj disa takime të grupeve punuese.

Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit, pasi nuk merr pjesë në një takim që nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen paraprakisht. /Insajderi.com