Zyrtarët publik nuk e deklarojnë pasurinë – AKK paralajmëron kallëzime penale

Zyrtarët publik nuk e deklarojnë pasurinë – AKK paralajmëron kallëzime penale

Që nga 1 marsi kur ka filluar deklarimi i pasurisë për zyrtarët publik në Agjencinë kundër Korrupsionit, vetëm 600 prej tyre e kanë bërë një gjë të tillë, nga gjithsej pesë mijë sa janë gjithsej, transmeton Insajderi.

Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK, Afrim Atashi, ka paralajmëruar se zyrtarët publik që nuk bëjnë paraqitjen e pasurisë deri më 31 mars, do t’u procedohet kallëzim penal.

“Besojmë se me datën 31 mars do të përmbyllet procesi i deklarimit të pasurisë. Besoj që mundësia online nuk i pengon zyrtarët e lartë edhe nëse kemi masa relative kufizuese që të deklarojnë pasurinë. Të gjithë ata zyrtarë të lartë publik që nuk e deklarojnë pasurinë në kohën e paraparë me ligj që është brenda marsit ne do të fillojmë procedurat ligjore që është paraqitja e kallëzimit penal” ka thënë Atashi për EO.

Por, ai ka treguar se ata zyrtarë që kanë arsye për mos deklarimin të pasurisë nuk do të sanksiohen edhe nëse kalon afati për paraqitjen e saj.

“Të gjithë ata zyrtarë që japin arsye për mos deklarim sepse kemi të atillë që mundem me qenë të infektuar, me qenë në spitale e me pas raste të ndryshme që janë arsye që ne i publikojmë dhe i tregojmë arsyet, i pranohet deklarimi dhe i arsyetohet për shkak se mund të ndodhë edhe më mënyrë praktike për shkak se ka zyrtarë të lartë që e bjen në dokument mjekësor që ka qenë i shtrirë në spital dhe ajo është arsye bazike e vlefshme që mos të sanksionohet për shkak se ai nuk ka pasur mundësi fizike as mënyrë tjetër të deklarimit të pasurisë” ka shtuar ai./Insajderi.com