Zyrtari i LDK-së: Albini t’i mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet

Zyrtari i LDK-së: Albini t’i mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e pakonfirmuar të zgjedhjeve të 14 shkurtit, teksa ka shtuar se kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, duhet t’i mbajë premtimet dhe “të mos viktimizohet më tutje”, njofton Insajderi.

Sa i përket kandidates për president nga LVV-ja, Vjosa Osman, ai ka thënë se deputetët e LDK-së “duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit”.

“Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se elektorati i LDK-së i ka dënuar dhe “ky mesazh është kristal i qartë”.

“Zgjedhjet në total, por edhe disfata jonë në bastionet tona tregon që komplet garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë. Të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë. Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura”, ka shkruar Rugova./Insajderi.com