Zyrtari i PDK-së kërcënon Albin Kurtin: Do ta përjetosh fatin e Gaddafit

Zyrtari i PDK-së kërcënon Albin Kurtin: Do ta përjetosh fatin e Gaddafit

Një kërcënim që mori përmes rrjeteve sociale regjisori Ard Islami, e ka nxitur përfaqësuesin e Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Ilir Gashin, që ta kërcënoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Duke komentuar kërcënimin ndaj Ard Islamit, Gashi kërcënoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se Albin Kurti do ta ketë fatin e ish-diktatorit të Libisë, Muammar al-Gaddafi, i cili u vra më 2011 gjatë të ashtuquajturës “Pranverë Arabe” në Libi – një lufte civile brenda shtetit afrikano-verior që rezultoi me përmbysjen e pushtetit.

“Albin, lidhi qent endacak! Se për 6 muaj fatin e Gadafit e përjeton! Duhët të jesh kriminel i lindur që të kërcnosh në këtë formë akoma pa marrë pushtet!”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, aktori dhe regjisori Ard Islami deklaroi se ka marrë një mesazh kërcënues nga përkrahës të VV-së

“Mbaje në mend Ard Islami. Kemi me iu vjerrë në shesh juve edhe krejt bashkëpunëtorët e PDK-së. Ka ardhë koha jonë edhe krejt këto punë që i bëni, ne kemi me ra, dhe ju do të ndaleni”, pretendoi Islami t’i ketë shkruar një përkrahës i Vetëvendosjes. /Insajderi.com