Zyrtari i VV-së i reagon Ramës: Nuk ke nevojë të na mbrosh nga Ramushi

Zyrtari i VV-së i reagon Ramës: Nuk ke nevojë të na mbrosh nga Ramushi

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj Serbisë, shkruan Insajderi.

Duke e “mbrojtur”, Kurti – Rama ka sulmuar ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj për vendosjen e kësaj takse.

Në lidhje me deklaratën e Ramës, ka reaguar Arbër Zaimi, anëtar i Vetëvendosje.

Zaimi përmes një shkrimi në Facebook është shprehur se Rama s’ka nevojë ta mbrojë Kurtin nga Haradinaj.

Sipas tij një kryeministër i Shqipërisë do duhej t’i bashkonte qëndrimet dhe strategjitë me Kosovën.

“Neve nuk na duhet Rama të na mbrojë nga Ramushi. Kemi qenë vetë opozitë e demonizuar padrejtësisht dhe e shtypur, dhe pjesë e ndryshimit që kemi dëshiruar është edhe sinqeriteti e hapja për bashkëpunim me opozitën, jo armiqësimi me të. Çfarë do të na ishte dashur e çfarë presim, jo nga personi, por nga çdo kryeministër i Shqipërisë, është bashkimi i qëndrimeve dhe strategjisë së Shqipërisë me Kosovën, sa i përket politikës ndërkombëtare. Nuk na duhet mbrojtje prej opozitës, na duhet qëndrim i përbashkët ndaj vendeve e projekteve armiqësore ndaj shtetësisë së Kosovës. Këto vende e projekte kanë fituar hapësirë, pikërisht duke shfrytëzuar moskoordinimin e shqiptarëve dhe prirjen e tyre që të “fitojnë pikë” para superfuqive duke u treguar sa më “bashkëpunues” me fqinjin, shpesh duke shkelur mbi vëllain, qoftë ai në krahun tjetër të pushtetit, qoftë në krahun tjetër të kufirit”, ka shkruar Zaimi, përcjell Insajderi.

Theksojmë se Edi Rama ka deklaruar se Ramush Haradinaj me paturpësi po e sulmon Albin Kurtin. Sipas tij ish-kryeministri i Kosovës po baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.

“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”, ka shkruar Rama, në Twitter.

Ky reagim i Ramës erdhi pas akuzës së Haradinajt ndaj Albin Kurtit, se ka bërë marrëveshje me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqiç për heqjen e taksës. Sipas, Haradinajt Kurti është dorëzuar herët ndërsa ka paralajmëruar veprime edhe më të këqija nga Kryeministri i ri i Kosovës./Insajderi.com

Haradinaj i reagon Ramës: Është i kuptueshëm frustrimi juaj pas prishjes së planit serbomadh