Zyrtari i VV-së me akuza ndaj Edi Ramës për vaksinat kineze

Zyrtari i VV-së me akuza ndaj Edi Ramës për vaksinat kineze

Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar akuzat se lideri i kësaj partie, njëherësh kryeministri Albin Kurti, po bllokon kufirin Kosovë-Shqipëri, duke mos i pranuar vaksinat kineze që homologu i tij shqiptar, Edi Rama, ishte i gatshëm t’ia dhurojë Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas tij, Rama deri para një muaji nuk i pranonte vaksinat ruse e kineze, për shkak se këto nuk kishin certifikimin e agjensive si EMA evropiane apo FDA amerikane.

Ndërsa tani që i ka pranuar ato vaksina, Zaimi ka thënë se Rama është dorëzuar dhe ka pranuar paaftësinë për të siguruar vaksina të certifikuara.

“Si zakonisht fajin ia hodhi tjetërkujt, fajin pra na e paska Evropa që s’do shqiptarët dhe jo ky që as di të negociojë e as të punojë për vendin e vet (rrjedhojë e kësaj logjike është se shqiptarët na i dashka Kina e Rusia…!). Dhe vendosi të bëjë fushatë me jetët e njerëzve të trembur nga pandemia, të cilën sipas çdo parametri e ka administruar më keq se kudo në Evropë (më pak teste, më pak vaksina, më pak shtretër ICU, më pak ndihmë ekonomike etj. për frymë se çdo vend evropian – përjashto Kosovën e administruar nga partneri i Ramës, Avdulla Hoti)”, ka shkruar ai në Facebook.

Zyrtari i VV-së tutje ka theksuar se Rama kishte premtuar 11 mijë vaksina të kompanisë amerikane Pfizer, por sipas tij, nuk i ka dhënë për Kosovën pasi ishin harxhuar.

“Rama mandej vendosi të tregohet edhe patriot. Premtoi se 11.000 vaksina Pfizer do i ndante si ndihmë për Kosovën. Me ardhjen e qeverisë Kurti, u kërkua që këto vaksina të jepeshin, pra thjesht të mbahej fjala. Rama prapë e përdori për fushatë, doli në Rrogozhinë dhe tha “më thirri Albini më kërkoi vaksina, po normal që do i japim, po këto s’bëhen duke fjetur” e pallavra të tilla.

Puna është se Rama flet e bën fushatë, por vaksinat Pfizer i kishte harxhuar. Dhe deshi të jepte kinezet. Kinezet Kosova nuk i pranon dot për të njëjtën arsye që edhe Rama nuk i pranonte deri para një muaji, pra për shkak të moscertifikimit nga EMA dhe FDA. Po të ishte e mundur të pranoheshin vaksinat kineze në Kosovë, do ishin blerë me kohë, pa pritur gjestet fushatore të Ramës”, ka shkruar tutje Zaimi./Insajderi.com