Zyrtari i KQZ-së thotë se asnjë shtet s’i ka listat e pastruara

Zyrtari i KQZ-së thotë se asnjë shtet s’i ka listat e pastruara

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka deklaruar se është sfiduese që zgjedhjet të mbahen në një kohë aq të shkurtër, por sipas tij KQZ-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e 11 qershorit.

Halimi, në televizionin publik, ka folur për përgatitjet për zgjedhjet që do të mbahen më 11 qershor, si dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen po ashtu këtë vit.

“Me gjithë vështirësitë që na paraqet koha e shkurtër, besoj që do të ia dalim. Ne kemi bërë planin operacional”, ka thënë Halimi. Ai ka bërë me dije se fushata do të fillojë me 1 dhe vazhdon deri më 10 qershor.

Halimi ka bërë me dije se lista e votuesve nuk është krejtësisht e pastruar. “Asnjë shtet nuk e ka listën zgjedhore të pastruar. Përveç kësaj, ne kemi edhe një diasporë që kanë shtetësi të dyfishtë”, ka thënë ai.

Sipas tij, mundësia për manipulime nuk duhet të shikohet nga ajo se lista zgjedhore do të jep mundësi për manipulime.

Ai ka folur edhe për koalicionet për të cilat sot është koha për të njoftuar KQZ-në.

“Sot koalicionet parazgjedhore duhet të njoftojnë KQZ-në për koalicionet”, ka bërë me dije ai.

Halimi ka thënë se nuk kanë informata për Alternativën se ku është procedura për të. “Qasja jonë është inkurajuese që të kemi sa më shumë garues e votues”, ka thënë ai.