Zyrtari i PAN-it: Familja Rugova i ka kuptuar mirë proceset që po zhvillohen

Zyrtari i PAN-it: Familja Rugova i ka kuptuar mirë proceset që po zhvillohen

Të hënën, për të katërtën herë radhazi pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit, nga kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci.

Seancat e kaluara dështuan pasi që deputetët e koalicionit fitues të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, që njihet me shkurtesën PAN, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës, pasi kanë kërkuar konsultime shtesë.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kryesuesi i seancës konsituive deputeti Adem Mikullovci është duke bërë gabime, pasi që, siç shprehet ai, më shumë është duke e ndjekur politikën e Vetëvendosjes, sesa të unifikimit të spektrit politik.

“Ne e kemi bërë të qartë se pa takime konsultative, pa takime të gjithë spektrit politik dhe grupeve parlamentare, nuk do të marrim pjesë në seancë”, deklaron Lekaj.

Drejtuesit e partive politike që janë pjesë e këtij koalicioni, Kadri Veseli(PDK), Ramush Haradinaj (AAK), Fatmir Limaj (NISMA) kanë zhvilluar të shtunën një takim me Ukë Rugovën, vëllanë e deputetes Teuta Rugova.

Zyrtarët e partive politike thonë thënë për Radion Evropa e Lirë, se takimi është mbajtur për të thelluar vazhdimin e bashkëpunimit dhe, siç thanë ata,është biseduar për formimin sa më shpejt të institucioneve të Kosovës.

“Familja Rugova i ka kuptuar drejt dhe mirë proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe në këtë drejtim, si familje emblematike, e ka dhënë gjithë kontributin për zhbllokimin e situatës dhe në suaza të kësaj, janë edhe takimet e tilla”, thekson Lekaj. /REL