Zyrtarit të lartë të PDK-së në Prizren, i rrënohet objekti pa leje

Zyrtarit të lartë të PDK-së në Prizren, i rrënohet objekti pa leje

Komuna e Prizrenit, ka filluar të rrënojë punimet e një ndërtese Kompanisë “Abi Center’, për shkak se kjo kompani e ka tejkaluar lejen .

“Abi Cnter”, pronë e Irfan Fushës, ish-kandidat i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, 35% të objektit në rrugën Tirana, e ka ndërtuar jashtë lejes së dhënë nga komuna. Madje, sipas Komunës së Prizrenit, kjo kompani e ka tejkaluar lejen ndërtimit të dhënë nga komuna, duke ndërtuar në hapsirën që është paraparë për rrugë qarkulluese.

“Drejtoria e Inspektorateve ka filluar ekzekutimin e vendimit për rrënim e një pjese të projektit të një qendreje tregtare në rrugën “Tirana””, njofton Komuna e Prizrenit, transmeton “PrizrenPress”

“Siç është njoftuar opinioni edhe më herët, ky projekt kishte tejkaluar lejen ndërtimore duke ndërtuar edhe në aksin ku parashihet ndërtimi i rrugës publike”.

“Fillimisht, inspektorët komunalë kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese. Përkundër kësaj mundësie punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme, gjë për të cilën edhe është gjobitur tri herë nga ana e Inspektoratit”.

“Pas njoftimit të lëshuar më 24.08. 2018 për ekzekutimin e vendimit, si masë e fundit ka filluar aksioni i rrënimit”.

“Gjatë realizimit të ekzekutimit të vendimit pronari është zotuar edhe me shkrim se vullnetarisht do ta rrënojë pjesën e cila nuk i është reviduar me lejen ndërtimore, për çka edhe Drejtoria e Inspektorateve i ka dhënë afat që këtë deklarim ta realizojë brenda 30 ditëve”.

“Objekti në fjalë edhe më tej do të jetë nën inspektim të vazhdueshëm, derisa vendimi të respektohet në tërësi”.

Pronari i “Abi Center”, Irfan Fusha, është anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai në zgjedhjet e vitit 2014 kishte qenë kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, por që nuk kishte arritur që t’i fitojë votat e mjaftueshme për t’u ulur në ulësen e deputetit.