Lëvizja Vetëvendosje, ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Albin Kurtit për të parin e Vetëvendosjes.
“Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është mbledhur sot në Prishtinë për të bërë verifikimin e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që kanë dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturën e deputetit Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe për të trajtuar çështje të tjera që lidhen me procesin e zgjedhjeve të brendshme”, thuhet në komunikaten e VV-së.
KZP-ja ka konstatuar se nënshkrimet janë grumbulluar dhe dorëzuar nga deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme si dhe me autorizimin e lëshuar nga deputeti Albin Kurti për grumbullimin e nënshkrimeve nga këto dy deputete. Pas verifikimit të nënshkrimeve të dorëzuara të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, KZP-ja konstatoi se është plotësuar kushti i nevojshëm i këtyre nënshktrimeve për zyrtarizimin e kandidaturës së Albin Kurtit sipas Statutit dhe Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme që është në fuqi.
Nga sot, deputeti Albin Kurti është zyrtarisht kandidat për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen në fillim të vitit 2018 sipas parimit një anëtar – një votë.
Kujtojmë se afati kohor për të dorëzuar kandidatura të tjera për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbaron në datën 10 janar 2018.
Nisur nga kërkesat e shumta për informim lidhur me këtë proces të brendshëm zgjedhor, si dhe duke marrë parasysh faktin që Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i madh në Republikën e Kosovës, KZP-ja do të vazhdojë ta mbajë të informuar rregullisht anëtarësinë dhe publikun e gjerë pëmes njoftimeve mbi këtë proces të demokracisë së brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.