Zyrtarizohet koalicioni AKR-Nisma

Zyrtarizohet koalicioni AKR-Nisma

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor.

Dy kryetarët e të dy subjekteve, Limaj dhe Pacolli janë shprehur optimist për nënshkrimin e këtij koalicioni duke thënë se janë pretendent serioz për t’i fituar zgjedhjet.

Kryetari i AKR-së në një konferencë për media, Behgjet Pacolli tha se AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe do të ketë kandidatin e vet për kryeministër.

“AKR dhe Nisma mbrëmë kanë vendosur që të formojnë një koalicion, kisha me quajt qendra e artë, boshti i mesëm, ose po e quaj pjesa e tretë politike e cila do të jetë kyçe, do të jetë e rëndësishme në formimin e qeverisë së ardhshme. AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët, lista do të ketë kandidatin e vet për kryeministër, besoj që ARK dhe Nisma do të bëjnë një punë dinjitoze. Kemi punuar në mënyrë të ndershme e transparente, dhe mandatin edhe pse nuk e kemi quar në fund e kemi kryer pa asnjë skandal, jam krenar për punën e bërë”, tha Pacolli.

Ai tha se kanë bashkëpunuar shumë mirë me Nismën dhe ministrat sa kanë qenë në qeveri.

Kurse, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha se koalicioni nisma AKR-në shkon e vetme në zgjedhje.

“Është një lajm i mirë për vendin, që tregon që me këtë vendim që kemi marrë për të ndërtuar një bosht politik, ku presim të bashkohen edhe forca të tjera politike tregon urtësinë, seriozitetin racionalitetin për zgjedhjet që na presin. Besoj që koalicioni ynë i ka dyert e hapura edhe për të tjerët që duan të na bashkohen. Ne si grupe politike po ruajmë balancet politike në vend, po ndihmojnë një alternativë ndryshe. Ne nuk do të bimë viktimë e një vote elektorate, Kosova ka tema që duhet të merret seriozisht me to. Ky koalicion do të jetë përcaktues i qeverisë se ardhshme të Kosovës”, tha ai