Televizioni publik ka vendosur në edicionin e lajmeve qendrore ta thirrë zëvendësministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Rexhep Hoti për të folur për Epoenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ai më shumë ka folur rreth presidentit të vendit, ish-kryetarit të partisë së tij, Hashim Thaçi.
Hoti ka shfrytëzuar paraqitjen në televizionin publik për të folur për presidentin e vendit që ka propozuar transformimin e FSK-së në ushtri.
Pasi ka folur shkurt për familjen Jashari, Hoti ka lartësuar punën e Thaçit.
“Në këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për Kosovën, sot patëm një nismë të jashtëzakonshme, të madhe, nga presidenti i Republikës, z.Hashim Thaçi, i cili në pajtueshmëri me kompetencat që ka edhe kushtetuese edhe ligjore, në ditën e madhe, në ditët e marsit, në ditët e Epopesë i gëzoi edhe të rënët edhe të gjallët, sepse së shpejti, brenda ditëve do të procedohet edhe Ligji për ushtrinë”, ka thënë Hoti.
“Shenjtërimi” i Thaçit ka vazhduar edhe më tej, kur Hoti e ka quajtur presidentin njeri që di të befasoj.
“Ky gëzim i madh përkon realisht me befasi të jashtëzakonshme të presidentit që di ti ofroj në kohën dhe vendin dhe duhur popullit t vet vendime të mëdha”, ka thënë Hoti.
Por ai nuk është ndalur me kaq. Ka vazhduar ta lavdëroj Thaçin gjatë tërë intervistës, duke thënë se ai është “personalitet i vendimeve të mëdhaja”./Insajderi.com