Një pjesë të aktivitetit të dyshuar terrorist, biznesmeni Fatos Rizvanolli e ka zhvilluar në pronën e shtetit. I arrestuari për financim të terrorizmit ka kontratë qiramarrjeje të nënshkruar me Islam Selimin, drejtor i ndërmarrjes Auto Prishtina.
Fatos Rizvanolli ka në shfrytëzim një hapësirë të madhe “Te Rrethi” për të cilën paguan 500 euro qira në muaj. Në një pjesë të hapësirës ka funksionuar një xhami ilegale e cila është mbyllur në vitin 2014 pas arrestimit të 40 të dyshuarve për terrorizëm.
Ndërsa, në pjesën e parë, Rizvanolli zhvillon aktivitet biznesor të dhënies së veturave me qira, shitjes dhe larjes së tyre. Prona e Auto Prishtinës menaxhohet ilegalisht nga Islam Selimi që është vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Këtë ia ka lejuar Agjencia Kosovare e Privatizimit gjatë gjithë këtyre vjetëve. Selimi vite më radhë nuk ka raportuar në AKP për të hyrat që mbledh nga bizneset që operojnë me qira në këtë hapësirë. AKP-ja pati konfirmuar se kanë kërkuar nga Selimi që të hap llogari bankare të ndërmarrjes shoqërore. Disa vite rresht ai nuk ka përfillur kërkesat e AKP-së dhe nuk i është nënshtruar kontrollit të këtij institucioni shtetëror.
Përveç kompanisë që operon në këtë Rizvanolli ka edhe kompani tjera. Në pronësi të të arrestuarit dhe babait të tij janë të paktën tri firma të regjistruara. Njëra prej tyre është biznes joaktiv. Fatos Rizvanolli është pronar i ndërmarrjes “Auto Market” dhe “Auto Shped”.
Në firmën tjetër NTSH “Tosi” është person i autorizuar. Pronar figuron babai i tij, Isa Rizvanolli. Ky biznes operon te Rrethi. Në kuadër të këtij biznesi ka funksionuar xhamia që nuk ishte nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Insajderi ka provuar të flas sot me Islam Selimin, por ai nuk ka pasur qasje në telefon. Qiradhënien ai e kishte sqaruar verën e vitit 2014. E kishte pranuar se ka marrëveshje me Fatos Rizvanollin.
“Në fillim këta djemtë erdhën dhe më kërkuan që t’ua jap një pjesë të hapësirës që t’i lënë pakot e disa ndihmave që ata po i shpërndanin për të varfrit dhe Ramazanin e kaluar ua dhashë pa kompensim një hapësirë në shfrytëzim, por më vonë ata filluan të falen aty dhe kërkesat e tyre u rritën”, kishte thënë Selimi për Gazetën Express.
“Për atë hapësirë që shfrytëzojnë ata paguajnë 500 euro në muaj qira”. Selimi ka thënë se kontratën e ka nënshkruar me Fatos Rizvanollin i cili zhvillon biznes të dhënies së veturave me qira. Ndërkaq Agjencia e Privatizimit ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Insajderit lidhur me veprimtarinë biznesore në pronë shoqërore të biznesit të akuzuar, Fatos Rizvanollit.
Insajderi ka raportuar fillimisht për arrestimin e biznesmenit Rizvanolli nga Policia e Kosovës.
Arrestohet i dyshuari për financimin e rekrutëve kosovarë të ISIS-it