Për secilin kilogram të eksplozivit që i është zënë, Slobodan Gavriq do të vuaj nga një vit burg. Pra, në total, ai është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtine me 13 vite burgim.
Gavriq ishte arrestuar në një mbrëmje në fund të dhjetorit të vitit 2014 në Prishtinë ku në automjetin me tabela të Serbisë të cilin ai e drejtonte ishte gjetur 13 kilogramë eksploziv.
Pas arrestimit të tij, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kishte thënë që ai kishte pasur qëllime të kryerjes së një sulmi terrorist.
Ai ka qenë veterinar dhe i punësuar nga Ministria e Bujqësisë në Serbi.
Përveç akuzave për terrorizëm, ai akuzohej edhe për import, eksport, transportim e prodhim të armëve apo materialeve të tjera plasëse.