
Lëvizja Vetëvendosje në komunën e Istogut është pasuruar edhe me një asambleiste më shumë, pasi kryetarja e nëndegës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lavidje Bujupaj ka lënë këtë parti për VV-në.
Këtë e ka bërë të ditur VV nëpërmjet një postimi në Facebook ku thuhet se asambleistja e Kuvendit Komunal të Istogut nga radhët e AAK-së i është bashkuar kësaj partie.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! është konstantja e ndryshimit në Kosovë. Si e tillë, rreth saj po mblidhen të gjithë ata që besojnë në ndryshimin e vërtetë që bëhet vetëm përmes përpjekjes së sinqertë, të vendosur dhe të palodhshme”, thuhet në përshkrimin e fotografisë së Bujapajt të postuar në faqen e VV-së.
VV dhe AAK bashkë me NISMA-n deri vonë kanë qenë së bashku si bllok opozitar por që i ndanë rrugët pas mospajtimeve për krijimin e një liste të përbashkët zgjedhore nga këto tri parti.
Qysh atëherë gara për aderime nga një parti në tjetrën është bërë e dukshme, sidomos pas kalimit të Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja në VV./Insajderi.com