Vizita e Komisionarit evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos, e planifikuar të ndodhë në janar të këtij viti, po vazhdon të shtyhet.
Për vizitën që sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme do të bëhej për të konstatuar bashkërisht me institucionet kosovare progresin për liberalizimin e vizave, nuk jep ndonjë informacion as Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Sa i përket kësaj vizite, ne nuk mund të konfirmojmë ende asnjë datë,” ka qenë përgjigja e shkurtë nga kjo zyre.
Vizita e komisionarit Avramopoulos konsiderohet të jetë e rëndësishme për rrugën e Kosovës drejt liberalizimit të vizave.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, kishte thënë në janar se vizita e tij do t’i hapë rrugë “procedurave për heqjen e vizave.”
Vizitën e tij në Kosovë gjatë muajit janar e kishte paralajmëruar Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dashur të komentoj për paralamërimin që ka bërë. Ka thënë se është përgjegjëse Ministria e Integrimeve.
Ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Integrimeve kanë deklaruar se pyetjet duhet t’i adresohen zyrës së BE-së në Prishtinë.
Në anën tjetër, Zyra e BE-së në Kosovë ka ripërsëritur se heqja e vizave për kosovarët do të bëhet vetëm atëherë kur të përmbushën të gjitha kriteret e paraqitura nga Komisioni Evropian.
“Ashtu siç ishte thënë nga Komisioni [Evropian] në dhjetor të vitit të kaluar kur ishte aprovuar raporti final për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, vizat për qytetarët e Kosovës do të hiqen atëherë kur të plotësohet të gjitha kriteret” thuhet nga Zyra e BE-së.