AGK reagon ndaj gjuhës fyese të Lamës kundër gazetarit Xhemajl Rexha

AGK reagon ndaj gjuhës fyese të Lamës kundër gazetarit Xhemajl Rexha

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën fyese të përdorur nga ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama, e cila në një postim të saj në rrjetin social “Facebook” ka fyer dhe akuzuar gazetarin e KTV-së, Xhemajl Rexha.

AGK-ja e ka quajtur fyerje për të gjithë gazetarët e Kosovës, përdorimin e gjuhës së përdorur nga Lama, raporton Insajderi.

AGK ka thënë se “përdorimi i një gjuhe të tillë nga një ambasadore është fyerje për gazetarët në vend”.

“Duke dënuar këtë veprim njëherësh kërkojmë nga Ministria e Punëve të Jashtme që të deklarohet në lidhje me këtë rast. Ne kërkojmë nga MPJ që të mos lejojë ambasadorët që t’i fyejnë gazetarët në asnjë rast”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Alma Lama është zgjedhur Ambasadore e Kosovës në Itali gjatë vitit 2016, derisa më parë ka qenë pjesë e dy partive politike kosovare, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK. /Insajderi.com