![Aktivistët LGBT në Kosovë: Selimi po gënjen, homoseksualët nuk mund të martohen](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2016/03/selimo-730x440.jpg)
Deklarata e ushtruesit të postit të ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, dhënë gjatë një ligjërate në London School of Economics se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan ku homoseksualët mund të martohen ka ngjallur reagime të drejtues të organizatave për të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë.
“Nuk ka asnjë rrezik në Kosovë. Është vendi më pro-perëndimor në Ballkan. I vetmi vend ku lejohen martesat e homoseksualëve”, kishte thënë Selimi në fjalën e tij
Sipas Rajmonda Sylbije, drejtoreshë e organizatës Qendra për Liri dhe Barazi CEL kjo çfarë ka thënë Selimi, është gënjeshtër.
“Nëse aq shumë keni qejf me qenë vendi i vetëm atëherë bëjeni të tillë. Hajde legalizojeni martesën pra, por mos e gënjeni as botën as popullin që është e ligjshme kur nuk është”, ka shkruar Sylbije në Facebook.
Tutje ajo ka thënë se kjo deklaratë mund të përgënjeshtrohet shumë lehtë duke shkuar në secilën komunë të Kosovës që nuk e lejon martesën e personave të gjinisë së njejtë pasi kjo nuk lejohet me Ligjin e Familjes.
Deklaratën e Selimit e ka përgenjeshtruar edhe Agrim Margilaj drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD).
Sipas tij, nëse Selimi i është referuar Kushtetutës, tek neni 37.1 i saj që thotë se që çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe krijoj familje (pa cekur gjininë ose seksin) atëherë të njëjtën nën e kanë edhe disa vende të Ballkanit si Sllovenia, Maqedonia e Shqipëria.
“Por është ligji që kufizon martësën dhe krijimin e familjes mes një gruaje dhe një burri”, ka shkruar Margilaj.
“Sikur të ishim vendi më pro-perëndimor nuk do të kishim dalë vendi më homofobik në rajon (Burimi: nga hulumtimi i NDI), do ta kishim zbatuar ligjin ku deri më tani nga gjitha rastet e raportuara në institucionet e Kosovës nga personat LGBT që kanë bazë orientimin seksual ose identitetin gjinor as edhe NJE rast askush nuk është dënuar për shkelje të ligjit dhe Kushtetutë”, ka shkruar Margialj.
Tutje sipas tij, në shtetet perëndimore “indeksi i lumturisë së komunitetit LGBT në Kosovë nuk do të ishte më keq se Bangladeshi apo Pakistani (Burimi: PlanetRomeo Gay Happiness Index). Dikur të ishim vendi me pro perëndimor sot do të kishim një strehë për personat LGBT që janë dëbuar nga shtëpia dhe detyrohen të qëndrojnë në qorrsokak”.