Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ofendimi që ka ndodhur ndaj Albin Kurtit nga deputetja Aida Dërguti, është i papranueshëm.
Haxhiu e cila në letërkëmbimet mes Visar Ymerit dhe anëtarëve tjerë të partisë, që u publikuan në media, u përmend që ka dhënë dorëheqje nga kryesia e partisë, ka thënë se kërkim falja për këtë ofendim ka qenë e vonuar.
“Së pari, ofendimi që ka ndodhur ndaj Albinit nuk është i pranueshëm dhe kerkimfalja duhet të kishte ardhur shumë më herët. Së dyti, çdo ofendim tjetër është në dëm të organizatës, i papranueshëm dhe duhet ndalur menjëherë”, shkruan Haxhiu.
Por ajo ka bërë thirrje që diskutimi dhe vendimet duhet të kthehen brenda organeve vendimmarrëse të Lëvizjes.
“Së treti duhet që të gjitha çështjet urgjentisht të diskutohen përbrenda organeve vendimmarrëse të Lëvizjes. Së katërti, Lëvizja është përballur me momente më të vështira, dhe gjithnjë ka dalë edhe më e fortë. Së pesti, Kosovës i duhet programi që Lëvizja përfaqëson si dhe demokracia e brendshme dhe e jashtme që Lëvizja praktikon e synon”, shkruan ajo.
Haxhiu ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahen zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes. Ajo thotë se prêt që Albin Kurti të kandidojë, “bashkë me këdo tjetër që është i gatshëm të hyjë në këtë proces te demokracisë së brendshme”.