Vendimi i marrë nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe Kryesia e LDK-së, për mospërdorimin e posterëve të kandidatëve për kryetarë apo kandidatëve për asamblistë, në fushatën e Zgjedhjeve Lokale 2017, nuk po respektohet në disa komuna.
Pasi fjala e Mustafës nuk u mor për bazë nga Dega e LDK-së në Pejë, e cila shfaqi posterë, madje u dënua për shkak të vendosjes në mënyrë të kundërligjshme të tyre, edhe në Suharekë anëtarët e LDK-së kanë sabotuar vendimin e Mustafës.
Kështu kuptohet pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se LDK në Suharekë ka vendosur posterë dhe flamuj të partisë në shtylla elektrike në qytet, raporton Insajderi.
Por, PZAP nuk e ka dënuar LDK-në për këto postere, pasi sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, posterët janë vendosur në mënyrë të ligjshme.
Insajderi ka siguruar një vendim të PZAP-it ndaj një ankese të Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendosjes së posterëve të LDK-së në Suharekë. Megjithatë, PZAP e ka refuzuar ankesën e LVV-së dhe e ka cilësuar si të pabazuar atë.
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, kishte vendosur që të ndalonte përdorimin e posterëve të kandidatëve për kryetarë apo atyre për asambleistë nga radhët e LDK-së. Këtë, Mustafa tha se po e bënte për shkak të respektimit të pronave publike.
“Ky eshtë vendim i Shtabit zgjedhor dhe i kryetarëve të degëve nga takimi i sotëm në Selinë e LDK-së. Fushata do të jetë racionale, me shpenzime më të ulëta. Do të respektojmë ambientin, pronat publike dhe private”, kishte thënë Mustafa, duke dhënë përshtypjen se partia e tij do të bënte një fushatë korrekte. /Insajderi.com