Një vendim i Komunës së Fushë Kosovës për të ndërtuar një objekt paralel për shkollën Mihal Grameno, ka nxitur reagimin e banorëve të lagjes.
Sipas tyre, shkolla është afër ndërtesës ku ata jetojnë dhe për këtë arsye do të pengonte qarkullimin e lirë të banorëve. Banorët e “Kompleksit 300” në këtë lagje tashmë kanë filluar të nënshkruajnë një peticion duke kundërshtuar kështu ndërtimin e këtij objekti.
Objekti paralel për këtë shkollë, sipas komunës, po ndërtohet për shkak të numri të madh të nxënësve që vijojnë mësimet në këtë shkollë.
Xhevat Lajçi, banor i ndërtesës ku ka filluar ndërtimi i shkollës, ka thënë për Insajderin se të gjithë fqinjët njëzëri e kanë kundërshtuar këtë ndërtim për faktin se po ndërtohet në parkingun e banesës.
“Ky kompleks banesor ka mbi një mijë banorë të gjithë një zëri e kemi kundërshtuar, sepse shkolla duhet të ndërtohet sipas kushteve, por kjo shkollë nuk ka distancë më të largët se 5 apo 6 metra nga banesa, si e tillë nuk e di çfarë shkollë mund të jetë me këtë hapësirë kaq të vogël, për më shumë do të pengonte edhe banorët e lagjes”, ka thënë Lajçi për Insajderin.
Lajçi ka thënë se banorët e kësaj zone nuk janë kundër ndërtimit të kësaj shkolle por për shkak se ky objekt nuk do të i përmbushë kriteret për të qenë shkollë si dhe do të pamundësonte qarkullimin e lirë të banorëve.
“Ky objekt siç thuhet të ndërtohet shkollë e mbyllur, sepse ne banorët vetëm nga punëtorët kemi kuptuar çfarë do të bëhet, nuk i plotëson kushtet për të qenë shkollë si dhe do të pamundësonte qarkullimin e banorëve për faktin se kjo shkollë nuk është më larg se 6-7 metrra nga banesa”, ka thënë Lajçi.
Por, Komuna e Fushë Kosovës, e kontaktuar nga Gazeta Online Insajderi, ndërtimin e kësaj shkolle paralele e shohin të domosdoshme për shkak të numrit të madh të nxënësve.
Ali Topalli, zyrtar për informim në komunën e Fushë Kosovës, ka thënë se në lidhje me ndërtimin e këtij objekti ekziston vendimi i kuvendit komunal me vetëm një votë kundër.
“Për ndërtimin e shkollës e cila do të jetë paralele e ndarë e shkollës “Mihal Grameno” ekzistoni vendimi i kuvendit të komunë i votuar me vetëm një votë kundër dhe të tjerët në mënyrë unanime. Më pas janë përfillur të gjitha procedurat e prokurimit deri te përzgjedhja e operatorit i cili do të kryej këto punime”, ka thënë Topalli.
Në anën tjetër versioni i komunës është i ndryshëm me atë të banorëve. Lajçi thotë se shkolla do të i plotësoj kushtet dhe është vendosur të ndërtohet në atë vend sepse është pronë komunale.
“Lokacioni për ndërtimin e shkollës është caktuar aty sepse është pronë publike dhe për një shkollë të tipit të mbyllur sigurisht se do ti plotësoj kushtet”, ka thënë Lajçi.
Sipas banorëve ky objekt ka filluar të ndërtohet këtë javë dhe për të janë informuar vetëm nga punëtorët ndërsa janë duke mbledhur peticione për të ndalur ndërtimin e këtij objekti. /Insajderi.com