Çfarë tha Albulena Haxhiu që e bëri Kadri Veselin të reagojë në atë mënyrë?

Çfarë tha Albulena Haxhiu që e bëri Kadri Veselin të reagojë në atë mënyrë?

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet të shkohet sa më parë në zgjedhje pasi Kuvendi është jashtë funksionit, për shkak se koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën parlamentare dhe nuk po arrin t’i çojë përpara proceset.

“Është e qartë se kemi qeveri të pakicës dhe për shkak të kësaj ndodhemi në situata të tilla. Problemet e kësaj qeverie janë të shumta, por sidomos kjo që nuk e ka shumicën në Kuvend, saqë deputetët e këtij koalicioni janë të detyruar të kapen përdore dhe të vijnë në Kuvend”, ka thënë deputetja Haxhiu.

“Duhet ta kuptoni se jeni pakicë dhe kështu nuk vazhdohet tutje dhe nuk mund ta hidhni fajin te opozita”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, vaj halli për atë qeveri që mbështetet në votat e opozitës.

“Vaj halli me at koalicion i cili mbështetet me votat e opozitës. Natyrisht se kërkojmë zgjedhje se Kuvendi nuk është funksional, kemi një qeveri të pakicës dhe të skandaleve dhe qytetarët nuk e kanë komoditetin për ta duruar tutje”, ka thënë tutje deputetja Albulena Haxhiu gjatë seancës së sotme parlamentare.

Pas kësaj, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, duke i thënë asaj se janë një opozitë shumë e dobët.

“Mund të ketë opozitë të dobët veç ma opozitë ma të dobët  e ma të lodhtë nuk ka se vetëm flet edhe nuk merr masa, ti merre votën besimin edhe kqyre kush është pakicë e kush është shumicë, ka rregulla, ka rregulla. Ma e dobët se kjo opozitë që s’merr asnjë veprim…”, ka thënë Veseli./Insajderi.com