Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj kompanisë kosovare të udhëtimeve “Bici-Com”, për fshehjen e rasteve të sulmeve ndaj autobusëve të tyre.
Çitaku është shprehur e shqetësuar për mos reagimin e kompanisë kosovare ndaj sulmit të ndodhur një javë më parë.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, saktësisht një javë më parë reagoi për sulmin ndaj një autobusi të kësaj kompanie udhëtimesh, e më pas u demantua nga vetë drejtuesit e kompanisë.
Por, njëri nga autobusët e kompanisë “Bici-Com” u sulmua edhe këtë të dielë në Serbi.
E pas këtij sulmi, pronari i kompanisë së autobusëve, Bexhet Bici, tha për televizionin KTV se ky nuk është rasti i parë që autobusët e kësaj kompanie janë sulmuar në Serbi. Ai tha se rasti i parë ka ndodhur para nëntë ditëve, por ata nuk e kanë lajmëruar rastin në media.
Për këtë fshehje të rasteve që kompania “Bici-Com” ka zgjedhur të bëjë, mbeti “pa fjalë” ambasadorja Çitaku. Ajo u shpreh e shqetësuar për fshehjen e rasteve nga
“Tash na doli, që kompania e udhëtimeve paska fshehur rastet e sulmeve të autobusëve. Rastet qenkan të hapura në policinë e Serbisë, dhe qenkan disa. E unë shqetësohem pse të tjerët nuk reagojnë, kur jemi ne vet që i mbulojmë. Pa fjalë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, javën e kaluar kishte shkruar në profilin e saj të rrjetit social Facebook se një autobus me kosovarë është sulmuar në Serbi, me ç’rast akuzoi shtetin serb për këtë akt.
Çitaku deklaronte se “ndoshta” shteti i Kosovës duhet të thërras një takim të Këshillit të Sigurimit pas këtij akti.
“Një autobus që transportonte kosovarët është sulmuar sot në Serbi. Ndoshta duhet të thërrasim takimin e Këshillit të Sigurisë. Hipokrizi. Standarde të dyfishta. A e ka dënuar dikush këtë sulm nga komuniteti ndërkombëtar?”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook. /Insajderi.com