Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku ka reaguar pas lajmit se “është sulmuar një autobus me kosovarë në Serbi” të cilit ajo i dha jehonë vet, duke akuzuar Serbinë.
Çitaku ka kërkuar falje që ka shpërndarë këtë informatë, derisa ka thënë se në këtë rast mori një mësim të mirë.
“Sapo u informova se kompania ka mohuar se ka ndodhur një sulm. Me gjasë ishte një lajm i rremë. Kërkoj falje të sinqertë. Mediumi që raportoi lajmin nuk e ka kontaktuar kurrë kompaninë e autobusëve. Më vjen shumë keq sepse unë nuk kam dashur të ndaj një lajm të rremë dhe të shkaktoj panik. Ky është mësim i mirë për mua, dhe të gjithë ne duhet të shikojmë më shumë për burimin e informacionit. Lajmi i rremë është i rrezikshëm. Ai nxit konfuzion dhe pasiguri. Kërkoj falje. Duhet të verifikoj më shumë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Çitaku e nxitur nga një lajm i publikuar në medie, i dha jehonë lajmit duke akuzuar Serbinë se “ndoshta duhet të thërrasim takim në Këshill të Sigurimit” për këtë sulm.
“Një autobus që transportonte kosovarë u sulmua sot në Serbi. Fatmirësisht, falë raportimeve s’ka të lënduar. Ndoshta duhet të thërrasim një takim të Këshillit të Sigurimit? #Hipokrizi #Standard i dyfishtë. P.S. A e dënoi ndokush nga komuniteti ndërkombëtar këtë sulm?”, kishte shkruar ajo në Facebook.
Çitaku reagon ndaj Serbisë për “një sulm ndaj autobusit me kosovarë”