Deklaratat kontradiktore të Policisë dhe ministres Hoxha për sigurinë në vend

Deklaratat kontradiktore të Policisë dhe ministres Hoxha për sigurinë në vend

Kur Policia e Kosovës dërgoi reagim ndaj pretendimeve të sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj se Policia e Kosovës kontrollohet nga Kadri Veseli, në fund të komunikatës dha një detaj që akuzon direkt Molliqajn se njollos Policinë vetëm në raste specifike.

“Policia e Kosovës vlerëson se është shume indikativë deklarata e z.Molliqaj, për faktin se  në të gjitha rrethanat kur ne jemi të fokusuar njëqind përqind në çështjet jetike dhe madhore për sigurinë dhe interesin kombëtar të Kosovës, personi i njëjtë shfaqet me deklarime tendencioze duke u munduar të krijoj huti në opinionin publik, dhe kjo qasje i shkon në dobi vetëm armiqve të shtetit të Kosovës e jo qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës

“Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm nuk duhet dezinformuar si në rastin konkret nga z.Molliqaj”, përfundon komunikata.

Por një orë më pas, në Qeverinë e Kosovës, u mblodh Këshilli i Sigurisë. Megjithatë në atë mbledhje sipas vet ministres Hoxha, nuk është diskutuar diçka specifike.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha-Sadiku, anëtare e këtij këshilli, ka treguar për Gazetën Express, se në mbledhje është diskutuar siguria në vend në përgjithësi dhe nuk ka pasur ndonjë diskutim apo çështje specifike.

“Ka qenë mbledhje e rregullt, që mbahet çdo tre muaj”, tha ajo.

“Është diskutuar në përgjithësi gjendja e sigurisë, nuk ka pasur ndonjë temë diçka specifike”, sqaroi ministrja Hoxha-Sadiku, e kontaktuar nga Gazeta Express.

Tutje ajo tregoi se mbajtja e një mbledhje, në afate të tilla kohore, parashihet me ligjin për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

“Këshilli i Sigurisë së Kosovës harton planin vjetor dhe cakton të mbajë jo më pak se një takim çdo tre muaj”, thuhet në piken e parë të nenit 5 të këtij ligji, që përcakton për thirrjen e takimeve të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke ndodhur një mobilizim i pjesëtarëve të saj. Më konkretisht, Pjesëtarët e Policisë së Kosovë të cilët kanë qenë në pushime të ndryshme, që nga sot janë detyruar ta ndërprenë dhe të dalin në punë. Përveç kësaj, derisa ata punonin nga tetë orë, nga sot do të punojnë nga 12 orë./Insajderi.com