
Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i përbërë nga kryetari Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, janë duke qëndruar në Gjermani, ku janë takuar me deputetë të Bundestagut nga Partia Sociale Demokratie dhe Unioni Kristian Demokrat.
Ata u takuan sot me deputetët e SPD-së Josip Juratoviç dhe Norbert Spinrath, si dhe me deputetin e CDU-së Thorsten Frei dhe këshilltarin për marrëdhënie me jashtë të CDU-së, Hans Joachim Falenski. Më tej delegacioni u prit në takim në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga Ambasadori Christian Hellbach, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, njofton VV përmes një komunikate për media.
“Në këto takime delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje shpjegoi situatën politike post-zgjedhore në Kosovë, si dhe paraqiti prioritetet qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje dhe gatishmërinë, bazuar mbi rezultat zgjedhore, për drejtimin e qeverisë së re të Kosovës”, njofton VV.
“Përfaqësuesit gjermanë që morën pjesë në këto takime e përgëzuan delegacionin për rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe treguan edhe një herë vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re që do të arrihet të formohet pas këtyre zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Përfaqësuesit e kësaj partie ditë më parë kën qëndruar në Bruskel, ku kanë zhvilluar disa takime./Insajderi.com