Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka prezantuar të gjeturat e monitorimit të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), me temën “Zbatimi i Planit Kombëtar për MSA-në: Cili është progresi i institucioneve gjatë pjesës së parë të vitit 2017?”.
Albana Merja, nga GLSP tha se megjithëse ka progres në punën institucioneve koordinimi mes tyre është shumë i dobët, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se vetëm 34.8 % e masave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) janë plotësuar në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017, pasi nga 34 ligje sa duhej të miratoheshin, janë miratuar vetëm katër.
Sipas saj, planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) mbetet dokumenti kryesor nacional i politikave për aderimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Prandaj, të gjitha insitutcionet përgjegjëse duhet të kryejnë detyrat brenda afateve kohore të përcaktuara në këtë plan.
Merja gjithashtu tha se zgjedhjet e mbajtura kanë ndikuar në progresin për plotësimin marrëveshjes.
“Institucionet e Kosovës kanë pasur të realizojnë 241 aktivitete të ndara në 30 institucione. Numri kryesor i masave që kanë zënë janë hartimi i ligjeve. Në total janë 241 masa për gjashtë mujorin e parë janë realizuar vetëm 34.8 % e tyre”.
“Pjesa tjetër janë masa që nuk janë realizuar fare ose që janë pjesërisht të plotësuara por edhe këto pjesërisht të plotësuara ato nuk kanë plotësuar në kohën e duhur. Prej 241 masave në total 121 veprime janë masa ligjore. Me ardhjen e qeverisë së re gjatë këtij tre mujori nuk kemi parë përshpejtim të procesit edhe ky tremujor ka ritëm të njëjtë”.