Bisedat e publikuara deri tani nga Gazeta Online Insajderi, sipas 23 organizatave jo qeveritare në vend, përmbajnë dyshime serioze të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, rrjedhimisht elemente të veprave penale në të cilat janë implikuar zyrtarë të lartë shtetëror.
“Për më tepër, reagimi qytetar i manifestuar ditëve të fundit nëpërmjet protestave dhe formave tjera ku kërkohet përgjegjësi politike dhe penale e aktorëve të përfshirë është legjitim dhe vetëm sa e shton urgjencën e trajtimit të këtij rasti”, thuhet në një letër të këtyre organizatave, drejtuar kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi.
Në këtë letër, këto organizata të njohura, i kanë shkruar kryeprokurorit se janë “dëshmitarë të përpjekjeve të Kryeprokurorit të Shtetit në drejtim të gjetjes së mundësive ligjore për hetim më të thellë të përgjimeve të realizuara nga prokurorët e EULEX-it gjatë hetimeve në rastin MTPT, e të publikuara së fundi nga Insajderi”, dhe se vendimi i tij si Kryeprokuror për krijimin e një ekipi prokurorësh nga zyra e Prokurorit të Shtetit dhe nga Prokuroria Speciale për të verifikuar dhe analizuar materialet e përgjimeve është inkurajues, sidoqoftë përmes kësaj letre ne shprehim shqetësimin dhe kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me prioritet.
Këto organizata kanë katër kërkesa specifike për Prokurorin e Shtetit:
Të veprojë me efikasitet, diligjencë dhe profesionalizëm në hetimin e këtyre përgjimeve dhe të gjykojë nëse ka elemente të veprës penale të kryer nga zyrtarët shtetërorë dhe personat tjerë të përgjuar me vendim të gjykatës.
Të trajtojë këto materiale me urgjencë dhe të japë rezultate në afat sa më të shkurtër, në mënyrë që të mos e shkatërrojë përfundimisht besimin publik edhe ashtu mjaft të ulët në institucionet e drejtësisë.
Të jetë transparent dhe në vazhdimësi të mbajë publikun të informuar lidhur me progresin e hetimeve, gjetjet dhe hapat e mëtutjeshëm.
Të bashkëpunojë me Agjencinë Kundër-Korrupsion për të verifikuar rastet e emërimeve politike dhe të jashtëligjshme në bordet e ndërmarrjeve publike, të gjetura në hetimin paraprak të Agjencisë dhe të organizatave të shoqërisë civile.
“Në besojmë se ekspediteti në analizimin dhe verifikimin e materialeve nga përgjimet e prokurorisë do të jepte përgjigje në shumë pyetje të ngritura nga publiku dhe do të sqaronte opinionin publik në lidhje me çdo dyshim”, thuhet në fund të letrës.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Këto janë organizatat nënshkruese të kësaj letre: CHëB Kosova, Çohu, Demokraci Plus (D+),Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Ide dhe Alternativa, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti GAP, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Këshilli Rinor Kosovar, Klubi Avokues për Personat me Aftësi të Kufizuar (KAPAK), Lëvizja FOL, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR KS), OJQ KCIC, OJQ Konsumatori, OJQ Zana, Qendra per Politika dhe Avokim (QPA), Rrjeti i Grupeve te Grave te Kosovës (RrGGK), STIKK dhe Syri i Vizionit./Insajderi.com