Në mbi 30 komuna të Kosovës, sot Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi aktivitet simbolik, ku u realizuan grafite me fotografinë e aktivistit të ndjerë të tyre, Astrit Deharit dhe parullën “Drejtësi për Astrititin”
Sipas një njoftimi të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari po mbahej padrejtësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me akuza të montuara për terrorizëm, kurse vdiq me 5 nëntor, “për çfarë u dhanë vetëm deklarata kontradiktore e kurrfarë përgjegjësie nga institucionet e shtetit.”
Teksa nga njëra anë qartazi është vërejtur tentimi i pushtetit që vdekja e aktivistit Dehari të mbulohet me deklarata të rreme ose të kalojë në heshtje, qytetarët në vazhdimësi kërkojnë zbardhjen e këtij rasti dhe vendosje të drejtësisë, shton kumtesa.
Vetëvendosja, thekson në kumtesë, se qëndron fuqishëm prapa kërkesës për hetim të rastit nga hetuesit e pavarur të caktuar nga familja, duke pasur parasysh kapjen e institucioneve të drejtësisë nga klani “Pronto”, gjë që pamundëson hetim dhe vendim të drejtë.